Rritet në 708 numri i bankomateve në fund të gushtit

TIRANË, 19 shtator /ATSH/- Situata e krijuar nga pandemia COVID-19, ka rritur volumin e pagesave me kartë në gjysmën e parë të vitit si dhe ndikoi në përmirësimin e sjelljes së  konsumatore për të përdorur instrumentet alternative të pagesave.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, këtë vit, numri i bankomateve është rritur në 708, nga 700 një vit më parë.

Bankat po tentojnë të shmangin krijimin e ngarkesës në sportele për veprime bazike, siç janë tërheqjet cash, të cilat mund të kryhen nëpërmjet bankomateve.

Një zhvillim të rëndësishëm në sektorin bankar kanë marrë edhe shërbimet për pagesa elektronike, siç janë internet banking apo terminalet elektronike të shitjeve POS.

Numri i terminaleve POS në mesin e këtij viti arriti në 11 500, me një rritje prej pothuajse 24%, apo 2200 njësi në harkun e një viti.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, aktualisht shqiptarët kanë në duar rreth 1.25 milionë karta bankare aktive. e.xh//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.