Regjistrimi i pronës/ Korça, qarku me më pak problematika

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Në rang republike, Korça është qarku me më pak problematika sa i përket regjistrimit të pronës.

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame nga Korça tha se procesi i legalizimit në qarkun e Korçës është drejt përmbylljes.

Pas përmbylljes së procesit të legalizimit, procesi i pajisjes me certifikatë pronësie përbën sfidën më të madhe.

“Problemet më të mëdha në fushën e pronave, ky qark (dhe treva e tij Maliq – Kolonjë) i ka me tokën. Kur them këtë, e kam fjalën jo për zënien e tokës (se këtu kjo nuk është problem) por me certifikimin e tokës, pra me pajisjen masive të fshatit me certifikatat e pronësisë së tokës së shpërndarë me ligjin 7501/1991. Në këtë Qark, në procesin e zbatimit të ligjit 7501/91, janë shpërndarë rreth 36.500 AMTP (Akte të marrjes së tokës në pronësi) që mbulojnë rreth 220.000 parcela toke bujqësore. Pjesa dërmuese e këtyre AMTP-ve janë ende të pa certifikuara, duke përbërë kështu sfidën e radhës për institucionin e kadastrës”, tha Lame.

Deklarata e kreut të Kadastrës Shqiptare, Lame u bë nga Korça ku prezantoi drejtoren e re të Kadastrës së Korçës, Besa Spaho./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.