Listat 100% të hapura/ Gjiknuri për draftin e PS: Reflekton ndryshimet kushtetuese, të gatshëm për dialog me opozitën

TIRANË, 19 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi se amendamentet e Kodit Zgjedhor të propozuara nga PS, në zbatim të ndryshimeve kushtetuese, parashikojnë hapjen e listave 100%, ku zgjedhësit i jepet e drejta dhe të ndryshoj listën e propozuar nga partia, e cila është dhe propozuesia e listës.

Gjiknuri gjatë një interviste televizive, sqaroi se opozita është e mirëpritur të japi komentet e saj, ndërsa shtoi se Partia Socialiste ka qenë gjithnjë e hapur për dialog dhe ka treguar se di të bëjë kompromise.

“Fakti që votohet çdo kandidat do të thotë që ne kemi respektuar parimin kushtetues që vota është parapëlqyese. Pra, zgjedhësi ka të drejtë të vendosë kryqin e tij dhe të zgjedhë një nga kandidatët e listës që ka propozuar partia. Tani dihet që listat partia i propozon sepse këtu konkurrojnë partitë politike. Partitë politike, kanë edhe një ekip dhe është elektorati që gjykon. Se dëgjoj edhe këta që thonë po pse nuk llogaritet vetëm individi pse partia, nëse ti si individ ke voto dil atje propozohu nga zgjedhësit”,- thekson Gjiknuri.

“Në momentin që hyn me partinë politike ti ke edhe dividendin e forcës sime, që ka një elektorat të sajin. Atëherë nëse kryetari i partisë i shkon zgjedhësit me një listë jo shumë të përshtatshme zgjedhësit kanë mundësinë nga poshtë të ngrenë kandidatët që ata mendojnë që kanë mbështetjen më të madhe. Lista është e hapur por ka disa rregulla që i japin vlerë kandidatit që ka peshë elektorale, që ti duhet të demonstrosh që ke më shumë vlera se partia që përfaqëson”,- tha Gjiknuri.

“Ky është një sistem që e kanë një pjesë e mirë e vendeve europiane që kanë lista të hapura me votë parapëlqyese siç edhe ka qenë edhe sistemi danez, kroat, austriak. Pra, partia politike shkon me një listë, ka një renditje dhe kjo renditje është e lirë të ndryshohet nga zgjedhësit. Kjo është hapja e listës 100%, pra do të thotë që nuk ka kandidatë të mbrojtur, sepse koncepti i mbylljes së një pjese të listës ka qenë që një pjesë e kandidatëve nuk do të votoheshin fare, por zgjedhësi kishte të drejtë të jepte votë të parapëlqyer për një kandidat tjetër.” -tha Gjiknuri, ndërsa shtoi se mazhoranca mbetet e gatshme të ofrojë çdo kompromis, por njëkohësisht i duhet bërë më e thjeshtë zgjedhësit për të mos krijuar probleme në administrimin e zgjedhjeve.

Sipas tij, kjo formulë i jep peshë zërit të elektoratit. “Në një forcë politike shkohet me një menu, shkohet me një ofertë. Dhe kjo është oferta ime politike. Si drejtim politik unë konsideroj këtë renditje, por je ti si elektorat që nëse nuk je dakord me renditjen time mund ta përmbysësh atë. Është si në një treg kur futen agjentë të ri, ke agjentët ekskluzivë në territor, hynë edhe elementë të ri, atëherë dakord më provo që ti ke më shumë vlerë. Dhe këtë e tregon vota”,- thekson Gjiknuri.

“Si është formula, një votë më shumë se sa mesatarja e votës së partisë. Do të thotë nëse ti më demonstron që vota mesatare e partisë është 7 mijë vota apo 8 mijë vota diku, nëse ti ke 7001 vota ti automatikisht hyn dhe merr mandatin dhe ul atë që është sipër teje dhe këtu mban në stabilitet edhe integritetin e listës po nga ana tjetër partitë duhet të jenë shumë të kujdesshme se po vure një që siç thotë populli ‘një qylaxhi’ sipër do të ta rrëzojnë ata poshtë, kjo është konkurrenca e ndershme. Por nga ana tjetër ruhet edhe integriteti i listave të kandidatëve, sepse partitë i shkojnë njerëzve në ekip. Pra, ka një balancë mes integritetit të listës, pra oferta politike, dhe mundësisë që ka elektorati për ta përmbysur këtë listë. Dhe unë them kjo është zgjidhja më e mirë për stabilitet qeverisës, për stabilitet politik dhe njëkohësisht për të hapur garën që çdo kandidati t’i njihen vlerat që ka”.- thekson Gjiknuri.

Gjiknuri gjatë intervistë bëri apel që opozita të bëjë propozimet e saj mbi draftin. Sipas tij, marrëveshja e 5 qershorit nuk është shkelur, por është miratuar.

“Opozita të vijë dhe të bëjë komente mbi atë draft. Drafti nuk është perfekt, por në thelb ka reflektuar ndryshimet kushtetuese, ka vendosur pragun zgjedhor që kërkon Kushtetuta, ka vendosur mekanizmin e hapjes së listave dhe votimin me votë preferenciale të 100 % të kandidatëve. Koalicionet ekzistojnë, mund të përbëhen nga disa parti politike por ata do t’i shkojnë elektoratit me një listë. Në fund të fundit ne kemi sjellë një draft nëse kanë kundërshti t’i thonë aty të japin propozime, por jo të kundërshtojnë apriori për shkelje të marrëveshjes sepse marrëveshja e 5 qershorit, nuk u shkel u miratua.”- u shpreh Gjiknuri.

“Procesi i përzgjedhës i kandidatë ve është një proces politik, me konsultime, me propozime dhe nëse themi se lidershipi vë një kandidat që nuk e do baza e partisë, sepse ne nuk e kemi mundësinë që çdo kush të hyjë në një garë paraprake dhe më pas të shkojmë në një listë, nuk e kemi mundësinë si në SHBA, tani unë shkoj me një listë që e kam renditur si kryetar partie që mendoj se është lista më përfaqësuese. Nëse baza e partisë nuk është dakord me ketë renditje e ka mundësinë ta ndryshojë më përpara nuk e kishte këtë mundësi. Nëse nuk pëlqen të themi Damianin, ka mundësi të votojë dikë aty poshtë dhe ai ngjitet dhe del deputet. Pra kjo është hapja e listës”,- theksoi Gjiknuri.

“Të gjithë partitë kanë mundësi të marrin më shumë njerëz që kanë më shumë peshë elektorale dhe elektorati ka mundësi të bëjë një rirenditje. Ndaj ka një ekuilibër mes ofertës që jep partia, dhe mundësisë që jep elektorati. Është si puna e pragjeve. Pse ekzistojnë pragjet zgjedhore? Pse një parti digjet kur nuk kap një minimum votash? Digjet sepse ti demonstron që nuk ke peshën e caktuar elektorale për të marrë mandat përfaqësimi.”,- tha Gjiknuri.

“Koalicionet ekzistojnë, mund të përbëhen nga disa parti politike por ata do t’i shkojnë elektoratit me një listë. Në fund të fundit ne kemi sjellë një draft nëse kanë kundërshti t’i thonë aty të japin propozime, por jo të kundërshtojnë apriori për shkelje të marrëveshjes sepse marrëveshja e 5 qershorit, nuk u shkel u miratua. Ajo ç’ka po bëjmë tani është përtej marrëveshjes së 5 qershorit, pasi kemi ndryshime kushtetuese që kanë hyrë në fuqi dhe është detyrë e parlamentit të mos krijojë vakum ligjor e as krizë kushtetuese dhe ne këtë po bëjmë. Ndaj të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të shkojmë në Kuvend sa më shpejt për ta miratuar”,- tha Gjiknuri, i cili shtoi se në të kundërt vihet në rrezik administrimi i zgjedhjeve, pasi afatet po ecin shpejt.

“Ndaj kemi vënë 30 shtatorin, pasi në tetor mendohet të ngrihet KQZ dhe automatikisht duhet të fillojmë me implementim e gjithë asaj pakete ligjore. Sepse edhe kjo që po bëjmë hapja e listave 100% ka sfida të mëdha nga pikëpamja logjistike administrative, e shumë e shumë procese të tjera, që elektorati shqiptar, nuk është i njohur”, – tha Gjiknuri.

“Unë mendoj që zgjidhja që kemi propozuar është zgjidhja më e mirë, modelet që kemi marrë janë perëndimore, edhe formulimi është formulim i vendeve demokratike të hapësirës së OSBE/ODHIR dhe nuk kemi gjetur në asnjë model tjetër si taktika e vjetër elektorale që ka qenë me regjimin e vjetër ligjor. Kështu që kur them nuk jam i dashuruar, e kemi mendjen që edhe mund ta ndryshojmë. Një mendje që ndryshon është një mendje që mendon. Ne si PS kemi treguar se kemi bërë kompromise, dhe kemi marrë kosto për këtë.”,- tha Gjiknuri.

Sipas tij, listat e hapura rrisin konkurrencën brenda partive.

“Lista e hapur do të sjellë konkurrencë të brendshme, mund të sjellë edhe tensione politike brenda forcave. Por kjo është sëmundje, një e keqe që do ta mbajmë dhe me kohën elektorati do përshtatet, sepse nuk e dimë si do sillet elektorati. Në vetvete hapja e listave do të sjellë tensione mes kandidatëve dhe ky është një fenomen që dihet në të gjitha vendet që kanë lista të hapura.”,- tha Gjiknuri.

Lidhur me debatin për të pyetur OSBE/ODHIR-in mbi draftin, Gjiknuri tha se “te ODHIR nuk shkohet me debate, por me projekte konkrete. Prandaj themi se nëse drafti jonë ka propozime ekstra dhe mund të kemi debat, mund të marrim dhe ndonjë ekspert. Megjithatë ODHIR nuk jep opinione përtej rekomandimeve, nuk shkruan ligje, sepse është ODHIR që do t’i monitorojë, si dhe nuk mund të japë opinion për ndryshimet kushtetuese që kanë hyrë në fuqi. Ne mirëpresim që debati të zhvillohet në çështje konkrete”,- tha Gjiknuri.

Lidhur me votat në Kuvend, për kalimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Gjiknuri u shpreh se, “ne ja kemi bërë një favor opozitës, duke krijuar Këshillin Politik. Këshilli Politik është një organ konsultimi me opozitën, pasi ata nuk janë në parlament. Parlamenti i ka votat për ta shtyrë përpara këtë nismë. Nëse nuk i kemi 84 vota, do bëjmë kompromis me parti, të cilat kanë mandate në parlament”.

“Do diskutojmë, siç kemi bërë me çdo ligj, kur nuk kemi votat e nevojshme, lobojmë. Është proces normal ligjor. Ajo që thuhet se mazhoranca po i ndryshon rregullat në mënyrë të njëanshme, nuk qëndron. Nëse opozita hoqi dorë nga institucionet, duhet të paguajë kostot e saj”,- përfundoi Gjiknuri. /a.a/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.