“Kukësi” largon Rrocan, zyrtarizon blerjen e një braziliani

TIRANË, 19 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Eduart Rroca nuk është më një futbollist i “Kukësit”. Verilindorët kanë zëvendësuar Rrocën me një brazilian, Matheus Leiria dos Santos.

Klubi i “Kukësit” njoftoi sot se Eduart Rroca është larguar drejt Turqisë. Futbollisti ka marrë një ofertë shumë të mirë në kategorinë e dytë turke.  Matheus Leiria dos Santos, zëvendësuesi i Rrocës ka hedhur firmën në kontratë dhe do të mbajë numrin 10 në fanellë.

“ Matheus Leiria dos Santos është zyrtarisht futbollist i “Kukësit”! Mesfushori brazilian ka firmosur sot kontratën me klubin tonë për 2 sezonet e ardhshme dhe ka zgjedhur të mbajë veshur fanellën me numrin 10″,- njofton “Kukësi”.

“Mesfushori Leiria e njeh mirë futbollin europian duke qenë se ka luajtur në kampionatin grek me fanellën e Platanias e në Danimarkë me Helsingor e Hobro. Gjithashtu, Leiria ka luajtur edhe në kampionatin brazilian me ekipe si Fluminese U20, GE Juventus, Gloria e Barra”,- sqaron “Kukësi”.

“Leiria do të vihet nën urdhrat e trajnerit Gega menjëherë sapo skuadra të përfundojë pushimin e dhënë nga trajneri. Mesfushori Leiria luan si mesfushor i avancuar por edhe si mesfushor krahu. Klubi i “Kukësit’ i uron shumë suksese mesfushorit brazilian! Mirë se vjen Matheus!”,- përfundon njoftimi.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.