FOKUS – ”Janos” gjunjëzon Greqinë me probleme me energjinë elektrike, anije të mbytura dhe pemë të rrëzuara

ATHINË, 19 shtator /ATSH-ANA/ – Stuhia me profil uragani ”Janos” la dëme të mëdha në ishullin Qefalonja’, pasi zbarkoi gjatë natës në ishujt e detit Jon.

Energjia elektrike u ndërpre në shumë pjesë të ishullit, ndërsa shumë shtylla elektrike u shkatërruan nga erërat e forta.

Kishte gjithashtu probleme me rrjetin rrugor për shkak të pemëve dhe degëve të rëna që bllokuan rrugët.

Problemi më i madh ishte në zonën e Aja Efimias, komuna e Samiut, ku reshjet e mëdha të shiut, të kombinuara me erërat e forta, krijuan përrenj balte të mbushur me mbeturina.

Në të njëjtën zonë, erërat që arritën fuqinë 11 Beaufort nxorën tri anije me vela në breg, ndërsa të paktën katër anije janë fundosur brenda portit.

Ndërkohë, ishulli më i goditur është ai i Itakës.

Ai mbajti barrën e madhe të kalimit të uraganit ”Janos”, me ndërprerje të energjisë elektrike dhe disa anije turistike të fundosura nga erërat e forta.

Përveç ndërprerjes së energjisë në të gjithë ishullin, ka edhe probleme serioze në telekomunikacionet.

Megjithatë, energjia elektrike është rikuperuar në qytetin kryesor të Zakinthos dhe rrethinat e tij si dhe në pjesët veriperëndimore dhe juglindore të ishullit.

Kushtet e pafavorshme të motit për shkak të uraganit po vonojnë riparimet./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.