BRUKSEL – Johansson: Duhet “solidaritet i detyrueshëm” mes 27 vendeve të BE-së për migracionin

BRUKSEL, 19 shtator /ATSH-AFP/ – Komisionerja europiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, e cila prezantoi të mërkurën një reformë shumë të pritur për politikën e azilit, u shpreh për një mekanizëm solidariteti të detyrueshëm mes vendeve të Bashkimit Europian në rast të “presionit” migrator.

“Kjo duhet të jetë e detyrueshme, të gjitha shtetet anëtare duhet të ndihmojnë kur ka një situatë apo kur një shtet anëtar është nën presion, kur ka shumë njerëz që kanë nevojë për mbrojtje”, deklaroi komisionerja suedeze.

“Por ne duhet të marrim parasysh gjithashtu llojin e ndihmës, për të cilën bëhet fjalë”, nënvizoi Ylva Johansson, përballë kundërshtimit të vazhdueshëm të disa vendeve për të pritur azilkërkuesit dhe dështimit të sistemit të përkohshëm të kuotave të shpërndarjes që ishte vendosur gjatë krizës migratore të vitit 2015.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për rilokalizim, në një vend të BE-së, kjo gjithashtu mund të ndihmojë në kthimin e personave që iu është refuzuar e drejtat e azilit në vendin e tyre të origjinës”, shtoi ajo.

Sidoqoftë, komisionerja nuk donte të hynte në detajet e “Paktit të ri për migracionin dhe azilin” që ajo do të ptrzantojë më 23 shtator, dy javë pas zjarrit në kampin e mbipopulluar të Morias në Greqi, parë si një simbol i dështimit të BE-së për të rënë dakord mbi një politikë të përbashkët.

Ajo pranoi se gjetja e një propozimi që mund të pranohet nga të gjitha shtetet anëtare dhe Parlamenti Europian ishte një detyrë e vështirë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi të mërkurën para eurodeputetëve se synonte shfuqizimin e “Rregullores së Dublinit” duke ia besuar përgjegjësinë e një kërkese për azil vendit të parë të hyrjes së migrantëve në BE.

“Unë mund të njoftoj se do të shfuqizojmë rregulloren e Dublinit dhe ta zëvendësojmë me një sistem të ri europian të qeverisjes së migracionit (…)”, theksoi ajo.

“Do të jetë një mekanizëm i ri i fortë i solidaritetit”, shtoi ajo një javë para prezantimit nga Komisioni të një reforme shumë të pritur të politikës migratore të BE-së./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.