Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon formularin 4 të dënuarve në Tiranë për vepra të rënda penale

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve.

Konretisht OFL i ka nisur kërkesat A. T., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, kryer në bashkëpunim dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, kryer në bashkëpunim, O. R., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit”, kryer në bashkëpunim, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, kryer në bashkëpunim dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, kryer në bashkëpunim dhe Sh. D., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Rekrutimi i personave me qëllim kryerjen e veprave terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve”.

Po ashtu iu dërgua kërkesa S. A., banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e New York-ut (SHBA), me 22 vite heqje lirie, për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.