Talenti shqiptar/ Rigersa Tori: Pas futbollit të luajtur dua të bëhem trajnere

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Një 15-vjeçare që synon të bëhet trajnere futbolli. Kjo është Rigersa Tori, futbollistja e klubit të Kinostudios dhe e Kombëtares Shqiptare U-17. Fjalët i peshojnë shumë, pavarësisht moshës që ka. Shprehja se “futbolli është vetëm për djem” nuk e ka bërë të tërhiqet nga pasioni i saj i madh. Në intervistën e dhënë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Rigersa tregon se si e përjetoi momentin kur mori ftesën nga kombëtarja, çfarë e motivon kur merr rezultate negative dhe idhullin e saj në futbollin e femrave.

“Nuk mendoj se ka futbollist në Shqipëri, i cili nuk e ka nisur karrierën e tij në rrugë. Edhe unë, thuajse si shumica e tyre, kam nisur të luaj futboll në lagje, ku sa herë shokët e mi luanin futboll, aktivizohesha dhe unë, për gati 8 vite. Më pas, arrita të bëhesha pjesë e ekipit të Kinostudios, me të cilin luaj edhe tani. Ëndrra që kisha për të qenë pjesë e një ekipi futbolli, m’u bë realitet, falë edhe mbështetjes së familjes time”, tregon ajo.

Ajo thtoë se njeriu i parë që e afroi dhe besoi tek ajo është futbollistja e kombëtares, Cyme Lulaj, e cila është edhe kapitene dhe në të njëjtën kohë zv.trajnere e ekipit të Kinostudios.

“Unë aktivizohesha në një grup futbolli në lagje dhe kishim organizuar një ndeshje miqësore me ekipin e Kinostudios. Aty u njoha me Cymen, e cila pa që unë kisha talent dhe më ftoi të bëhesha pjesë e ekipit ku ajo luante dhe trajnonte. Që prej asaj dite, ajo më ka mbështetur dhe vazhdon e më mbështet”, tregon Tori.

E pyetur sesi është marrëdhënia e saj me grupin dhe trajnerin, Tori shprehet se, “marrëdhënia ime me grupin dhe trajnerët, si në kombëtare ashtu edhe në klub është mjaft e mirë dhe falë mbështetjes së palodhur të tyre, kam arritur kaq shumë, krahas edhe moshës së vogël që kam”.

Ajo tregon se ka qarë atë ditë kur i erdhi ftesa për t’u bërë pjesë e Kombëtares shqiptare. “Asnjëherë mendimet e mia nuk kishin shkuar kaq larg, por i konsideroja thjesht ëndrra, pasi kisha vetëm 5 muaj që luaja me një ekip të Kategorisë Superiore për femra. Di t’ju them që jam stërvitur shumë dhe jam lodhur shumë dhe prandaj e gjithë kjo sakrificë m’u kthye mbrapsh në mënyrën më të bukur të mundshme”, thekson ajo.

“Ndeshjet e mia i rishikoj dhe vetes i them që mund të bëj akoma edhe më mirë dhe akoma edhe më shumë se ç’mund të kem bërë”, shton ajo.

Ndërsa si momentin më të lumtur të karrierës Tori rendit kur ka shënuar gol kundër KF Teutës. “Atë ditë kisha 15-vjetorin e lindjes dhe përveç dhuratave që mora, kapitenia e skuadrës, në shenjë dhurate më vendosi shiritin e kapitenes në krah. Ka qenë një ditë e veçantë, të cilën nuk do ta harroj lehtë”, thotë ajo.

E pyetur se si e motivon veten kur ekipi nuk merr rezultat pozitiv, ajo shprehet se, “kur nuk marrim rezultatin për të cilin kemi hyrë në fushë, mundohem që të mos demoralizohem dhe të jap më të mirën time në ndeshjen e ardhshme”.

Për synimet për të ardhmen, Tori nënvizon se, “dëshira ime e madhe është që të qëndroj në fushën e blertë dhe të mos shkëputem, edhe nëse nuk do të mund të luaj dot më vetë. Synimi kryesor është që të bëhem një trajnere futbolli”.

E pyetur se cila është këshilla më e vyer që ka marrë dhe nga kush, ajo thekson se, “këshillën më të vyer e kam marrë nga trajneri im i cili më thotë gjithmonë se me punë dhe me djersë arrihet çdo gjë”.

Sa i përket idhullit të saj në kombëtaren ideale, ajo shprehet se, “idhulli im në fakt nuk është një djalë, ashtu sikur mund të jetë idhulli i shumë të tjerëve, por është Cyme Lulaj”.

E pyetur se çfarë mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem, Tori shprehet se, “duke marrë shkas nga mentaliteti shqiptar, që thotë se futbolli është një sport burrash dhe jo gocash, unë i jap një mesazh shumë të thjeshtë: Mos jetoni me fjalët që thonë të tjerët, se futbolli është një sport që nuk i shkon vajzave. Jo vetëm djemtë mund të dhurojnë spektakël në fushë, por edhe vajzat. Besoni tek aftësitë tuaja, besoni te vetja juaj!”

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.