Skuadra “Shqiponja” në Gjirokastër/ Lleshaj: Të shtojmë vlerën e sigurisë për gjithë qytetarët

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Gjirokastra ishte etapa përmbyllëse e prezantimit të skuadrave “Shqiponja” në të gjithë vendin.

Në ceremoninë e organizuar që përkoi me festën e çlirimit të qytetit nga trupat gjermane në vitin 1944, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj theksoi se “skuadrat “Shqiponja” janë pjesë e një programi të gjerë të aprovuar nga qeveria për rritjen sasiore dhe cilësore të trupës së Policisë së Shtetit”.

“Është kënaqësi e veçantë që ne tashmë ne arrijmë në harkun e pak ditëve të kompletojmë një program të prezantimit një strukture të re në të gjithë qarqet e vendit. Me Gjirokastrën e mbyllim këtë cikël prezantimesh dhe besoj që nuk mund të gjenim rast më të mirë se Gjirokastra dhe një ditë më të mirë se kjo për ta mbyllur këtë cikël prezantimesh.Me besimin e plotë që investimet në siguri, janë investime në mirëqenie, në zhvillim, në ekonomi, dhe në kulturë, për arsyen se pa sigurinë, të gjitha këto të tjerat nuk mund të zhvillohen, qeveria shqiptare është treguar e gatshme për ta çuar deri në fund këtë program të rëndësishëm dhe të kushtueshëm, i cili u zhvillua dhe u finalizua në kuadër të një situate jo të zakontë, madje shumë të pazakontë”, – nënvizoi Lleshaj.

Sipas tij, djemtë dhe vajzat e kësaj skuadre do të jenë në gjendje që ta justifikojnë këtë besim të madh të qeverisë, por edhe të shoqërisë duke e kthyer në një vlerë të shtuar për sigurinë e komuniteteve tona.

“Shtimi i Policisë së Shtetit ka qenë një program i cili ka vijuar që nga viti 2013. Që nga ky vit ne kemi shtuar 1700 punonjës të rinj në organikën e Policisë së Shtetit, 700 prej të cilëve janë shtuar vitin e fundit. Një shtesë e konsiderueshme në qoftë se marrim parasysh faktin që numrat në sektorë të tjerë jo gjithmonë janë shtuar, madje në jo pak raste janë zvogëluar, atje ku ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme për të zvogëluar. Por këtu ne kem shtuar jo thjesht numra, por së pari kemi shtuar kapacitete të reja”, – theksoi Lleshaj duke shtuar se qasja ka qenë që të shtohen struktura të munguara në nivelin vendor, dhe njësitë “Shqiponja” janë një provë e kësaj që janë shtuar në të 12 qarqet.

Ne, vijoi Lleshaj, kemi besim që policia nuk fuqizohet vetëm kur asaj i shtohen numrat, as kur i shtohen njësitë e reja.

“Policia fuqizohet në radhë të parë kur asaj i përmirësohet cilësia, kur ajo rinohet në moshë dhe kur ajo ka oficerë më të përgatitur, të arsimuar dhe më të motivuar për të kryer detyrën e tyre. Dhe këtë linjë e kemi ndjekur dhe do të vazhdojmë ta ndjekim me konsekuencë në të ardhmen duke rinuar policinë përmes pranimeve të reja. Këto ditë përmbyllim programin e testimeve dhe të pranimeve të reja në Akademinë e Sigurisë, mbi 350 të rinj do t’i bashkohen, duke bërë që kjo Akademi të ketë intensitetin më të lartë të pranimeve të reja në historinë e vet”, – theksoi Lleshaj.

Ministri bëri të ditur se “vitin që shkoi kishim rreth 900 studentë në Akademinë e Sigurisë, shifër e paarritur më parë ndonjëherë në historinë që ne e kemi të regjistruar dhe këtë do ta vazhdojmë me intensitet me besimin që shtimi i cilësisë është në thelb ajo çka kërkojmë”.

“Dhe një risi tjetër është ajo që ka të bëjë me tërheqjen e të rinjve dhe të rejave që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera universitetet e vendit, duke krijuar një kategori të re, një profil të ri të oficerit të policisë kriminale, një profil të oficerit të përgatitur mirë, që është në nivel elitar, krahasuar me të gjitha profesionet e tjera në vend, gjë që do të bëjë që jo vetëm të rritet reputacioni i Policisë së Shtetit, jo vetëm që profesionistët e policisë të kenë elitën e tyre, të krahasueshme, konkurruese me të gjitha elitat e tjera në vend, por do të rrisë në radhë të parë efektivitetin e luftës kundër krimit të organizuar, luftë, e cila, siç e thashë, do më shumë mend sesa muskuj, mjete dhe logjistikë”, – tha Lleshaj.

/k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.