Shqipëria ndër 10 vendet me përmirësimet më të shpejta në arsim

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Shqipëria renditet ndër 10 vendet me përmirësimet më të shpejta në arsim, në raportin e fundit të Bankës Botërore.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka thënë se ky raport është inkurajues jo vetëm për të çuar përpara politikat arsimore por edhe për të përshpejtuar ritmin e reformave të ndërmarra më herët.

“Shumë e lumtur ndërsa shoh raportin më të fundit Bankës Botërore, i cili analizon në mënyrë të detajuar 174 shtete nga e gjithë bota dhe e rendit Shqipërinë ndër 10 vendet me përmirësimin më të madh në arsim. Ky raport është jo vetëm inkurajues për të çuar më përpara politikat arsimore, por edhe sfidues njëkohësisht për të përshpejtuar ritmin e reformave në arsim të ndërmarra nga 2 koleget e mia paraardhëse, Lindita Nikolla dhe Besa Shahini, falë punës së të cilave sot kemi një rritje të ndjeshme të cilësisë në arsim”, tha Kushi.

Sipas raportit të Bankës Botërore, numri i fëmijëve me zhvillim të vonshëm ka rënë ndjeshëm veçanërisht në Shqipëri, Azerbajxhan, Maqedoni e Veriut dhe Turqi.
Shqipëria- numri i fëmijëve me zhvillim të vonshëm për 100 fëmijë që rrezikojnë të kenë aftësi të kufizuara që mund të zgjasin gjithë jetën në 2010 ishin 23, ndërsa në 2020 janë 11 .

Shqipëria ka bërë përmirësime të dukshme në cilësinë e arsimit gjatë dekadës së kaluar. Rezultatet e testimeve të PISA-s, në 2010: 397, në 2020: 434.

Maryam Sallim, drejtuese e Bankës Botërore për Shqipërinë ka thënë ndër të tjera se “këto përmirësime lidhen me përpjekjet për reforma intensive gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, të cilët përfshijë politikat e përmirësuara të rekrutimit dhe shpërblimit të mësuesve, kurrikula të zgjeruara e të përqendruara në kompetenca. Akses i rritur në të gjitha nivelet e arsimit dhe një përqendrim më i fortë në arsimin gjithëpërfshirës duke synuar studentët më të pafavorizuar’’, tha Sallim.  z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.