Reformim procesit të hetimit dhe krijim i një lidhjeje organike mes policisë gjyqësore dhe prokurorisë

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, priti në takim pune ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, me të cilën diskutuan mbi identifikimin dhe realizimin e disa objektivave në kuadër të axhendës së Komitetit Teknik Institucional, i cili pritet të mblidhet në muajt e ardhshëm.

Në Komitetin Teknik Institucional do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë në vend, misione ndërkombëtare të asistencës në fushën e zbatimit të reformës në drejtësisë dhe misione diplomatike të akredituara në vend.

Ibrahimi e falënderoi ministren Gjonaj për bashkëpunimin dhe koordinimin efikas midis të dy institucioneve për sa i përket bashkërendimit dhe raportimit të saktë të veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kreu i KLP-së Ibrahimi e informoi ministren Gjonaj për problematikat imediate me të cilat përballet Këshilli aktualisht; plotësimin e dy vakancave në Këshill, emërimin e drejtuesve të prokurorive në vend pas miratimit nga ana e Këshillit të rregullores “Për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë dhe përgatitja e opinionit nga ana e Këshillit për sa i përket amendimeve dhe ndryshimeve në ligjin për statusin e magjistratit.

Gjithashtu, Kryetari i Këshillit nënvizoi nevojën e reformimit të procesit të hetimit dhe krijimin e një lidhjeje organike midis policisë gjyqësore dhe prokurorisë.

Ministrja Gjonaj përgëzoi zotin Ibrahimi për punën dhe rezultatet e arritura nga Këshilli deri tani dhe kërkoi përfshirjen aktive të tij në hartimin e hartës gjyqësore në vend ku një rol të rëndësishëm kanë prokuroritë, të cilat do të kenë të garantuara funksionimin, administrimin dhe aksesin e qytetarëve në këto institucione./k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.