Pretendimet e Sali Kokomanit nga Shijaku/ Kryebashkiaku Arbana: Shtëpia e tij pa dëmtime sipas aktkonstatimit të ekspertëve

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shijakut ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesit të PD-së, Dorian Teliti, duke e cilësuar si shpifjen e radhës.

Kryebashkiaku Arbana ka nxjerrë fakte ndaj pretendimeve të qytetarit Sali Kokomani të përcjella nga Teliti.

“Opozita “As mish e as peshk” ka përdorur një tjetër qytetar për shpifjet e saj. Sali Kokomani, që është prononcuar për opozitën nuk është fare pronar i shtëpisë dhe nuk është paraqitur në asnjë moment te Bashkia e Shijakut. Shtëpia është në pronësi të vëllait të tij. Sa keq, e gjithë jeta juaj politike është kthyer në një rutinë pasigurie”, ka theksuar ai.

“Suksesi qëndron te përmirësimi i vetes. E në vend që të merreni me veten dhe boshllëqet tuaja që janë kthyer në hendek me elektoratin ju merreni me njerëzit e thjeshtë, etiketoni të dobtit psikologjikisht”, është shprehur Arbana.

“Ne kemi fakte që i kemi ndihmuar dhe do të vazhdojmë t’i ndihmojmë. Edhe nëse jo gjithmonë e shfaqim publikisht ndihmën e dhënë, ata e dinë shumë mirë se kush i është gjendur në momentet e vështira”, ka shtuar ai.

“Keni mbetur peng i së shkuarës ndërkohë që ne me punën tonë po tregojmë që jemi drita në fund të tunelit që na solli fatkeqësia natyrore”, ka nënvizuar ai.

“Kurrë mos u merrni me një njeri që punon. Unë jam këtu për t’i shërbyer të gjithë njerëzve, përfshirë dhe militantëve tuaj, sepse unë i shikoj si njerëz e jo si kavie politike. Dhe jam këtu për të bërë më të mirën timen”, ka theksuar Arbana.

Dhe mos harroni, ka nënvizuar ai, “ka një ndryshim të madh mes të qenit njeri dhe njerëzor. Unë kam zgjedhur të dytën. Ku ka vullnet, ka zgjidhje!”

Ndërsa në relacionin sqarues për banesën e Sali Kokomanit thuhet se, “nisur nga deklarata e bërë nga Sali Kokomani, në sistemin e RKA (tableti), i cili përcakton vendondodhjen e objektit, me nr banese dhe foto të objektit në kohë reale, është përcaktuar niveli i dëmit dhe dëmtimet përkatëse të këtij objekti”.

Pasi është hapur platforma e Rindërtimit në muajin shkurt (shtëpiaime.al), në të cilën qytetarët kanë pasur akses për të bërë aplikimet dhe për të qenë përfitues në grant ose rindërtim, Sali Kokomani nuk është paraqitur për të bërë aplikimin në nivelin e dëmit të përcaktuar në tablet.

Objekti në të cilin është paraqitur Kokomani, me nr. 8 banesë, dhe nivel dëmtimi DS1 nuk është shtëpia e banimit të tij, por e vëllait të tij.

Shtëpia e vetë qytetarit është me nr. 1 banesë dhe është pa dëmtime në aktkonstatim sipas tabletit.

/gj.mima/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.