PRAGË – Rekord tjetër ditor i kontaminimeve me COVID-19

PRAGË, 18 shtator /ATSH-AFP/ – Republika Çeke regjistroi një numër rekord prej 3 130 rastesh të reja me COVID-19 duke arritur në 24 orë një shifër të pakrahasueshme me të gjithë muajt nga marsi, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Bëhet fjalë për rekordin e tretë ditor radhazi për këtë vend me 10,7 milionë banorë, që ka regjistruar 44 155 raste të konfirmuara dhe 489 të vdekur që prej muajit mars.

Për nga numri i rasteve për 100 000 banorë, Republika e Çeke ndodhet tashmë në vendin e dytë në BE, pas Spanjës, sipas të dhënave të agjencisë kombëtare të lajmeve CTK.

Shumica e pacientëve kanë shfaqur simptoma të lehta apo inekzistente dhe vetëm 413 persona ndodhen aktualisht të shtruar në spital.

“Nëse epidemia vazhdon të progresojë me këtë ritëm, ne do të arrijmë limitin e kapaciteteve të pritjes në spitalet tona”, theksoi epidemiologu, Roman Prymula, këshilltar shkencor i qeverisë, që koordinon luftën kundër epidemisë.

“Ne jemi përballur me një rrezik të madh të një përhapjeje të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

Qeveria urdhëroi mbylljen e bareve dhe klubeve dhe kërkoi për studentët dhe nxënësit mbi 11 vjeç të vendosin maskat në klasa, masa që hynë sot në fuqi./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.