Port i ri i peshkimit, naftë pa taksa dhe TVSH zero/ Agim Martini, peshkatar prej 15 vitesh, dëshmitar i padyshimtë i ndryshimit të jashtëzakonshëm

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/664997494222942/

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Agim Martini është një peshkatar që prej 15 vitesh punon në portin e Durrësit. Ai tregon se tashmë falë investimit në portin e ri të peshkimit, naftës pa taksa e me çmim burse, TVSH-së zero për blerjen e rrjetave e materialeve të tjera të peshkimit, peshkatarët kanë një sërë lehtësirash.

Kryeministri Edi Rama përcolli dëshminë e peshkatarit i cili tregon ndryshimet që kanë përmirësuar punën dhe jetesën e tij.

“Dëgjojeni Agim Martinin, peshkatarin që prej 15 vitesh punon fort për familjen e tij. Si shumë peshkatarë të tjerë, ai i ka provuar për vite me radhë kushtet mizerabël të punës, duke filluar që nga porti i vjetër i peshkimit plot vjeturina e pa asnjë standard, deri tek shtegtimi nga njëri shtet në tjetrin për të gjetur naftë me çmim të lirë… Sot ai është dëshmitar i padyshimtë i ndryshimit të jashtëzakonshëm që ne sollëm për sektorin e peshkimit”, shprehet Rama.

“Një port të ri me kushte shumë të mira, naftë pa taksa e me çmim burse. TVSH zero për blerjen e rrjetave e materialeve të tjera të peshkimit. Eksportet e peshkimit janë rritur me 3.25 herë krahasuar me vitin 2013. Pikërisht falë këtyre politikave sot sektori i peshkimit është një nga sektorët me rritjen më të madhe në ekonominë shqiptare”, theksoi Kryeministri Rama.

“Në portin e peshkimit kanë ndodhur shumë ndryshime, shumë lehtësime për ne si peshkatarë. Duke filluar që me furnizimin me naftë, për ngarkim-shkarkimin e peshkut, furnizimin me ujë, me korent, çdo gjë. Nafta para 5-6 vitesh ka qenë me një çmim shumë të lartë që ka qenë i papërballueshëm për anijet se varej dhe në bazë të prodhimit të peshkut. Nëse anija shkonte dobët me prodhim, atëherë ai çmim i lartë i naftës nuk na leverdiste. Përpara për naftën që kemi marrë, çmimet kanë arritur shifra maksimale deri 1000-1200 lekë të vjetra për litër, kurse ditët e sotme me anë të bursës kanë arritur 400 lekë të vjetra. Kështu që është shumë lehtësim”, tregon Martini.

“Një lehtësim tjetër është edhe heqja e TVSH-së për materialet e flotës së peshkimit, duke filluar nga rrjetat, kavot. Çdo gjë që ne marrim i kemi më të lehta praktikisht duke i hequr taksën e TVSH-së”, shton ai.

“Me investimin që është bërë në portin e peshkimit janë bërë shumë favore të mira, duke filluar që me mjetet, me magazinat, me markatën e peshkut. Çdokush që ka anije peshkimi vjen edhe e shkarkon edhe peshkun direkt këtu brenda territorit të peshkimit. Tek porti i vjetër kemi vuajtur shumë. Koha e keqe, dimër, problem akostimi. Përpara ka qenë shumë problem, sepse duhet të dilje njëherë jashtë edhe do e çoje nëpër dyqane, nëpër magazina të tjera. Kurse këtu çdo gjë e kemi. Është shumë ndihmesë e madhe”, thekson peshkatari Agim Martini.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.