POLONI – Miratimi i ligjit për të drejtat e kafshëve mund të provokojë zgjedhje të reja

VARSHAVË, 18 shtator /ATSH-AFP/ – Parlamenti polak miratoi sot një ligj për të drejtat e kafshëve që ka shkaktuar zemërim të fermerëve dhe të prodhuesve të mishit dhe ndarje të koalicionit të djathtë në pushtet. 

Një parti e vogël, anëtare e koalicionit qeveritar, refuzoi të votonte në favor të këtij ligji duke shkaktuar zemërimin e Jaroslaw Kaczynski, drejtues i partisë konservatore ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS).

Kaczynski, i cili njihet për dashurinë e tij për macet, kërcënoi se do të përjashtonte këta partnerë nga koalicioni i tij si dhe mund të thërriste edhe zgjedhje të parakohshme.

Pas disa orëve debat, me mbështetjen e opozitës liberale, ligji u miratua me 365 vota pro dhe 75 kundër, ndërkohë që 18 deputetë abstenuan.

Ligji, i cili gjithashtu duhet të marrë miratimin e Senatit, ndalon mbarështimin e kafshëve për gëzofin e tyre, një industri e rëndësishme në Poloni dhe ndalon eksportet e mishit ”hallall” dhe ”kosher”.

Polonia është prodhuesi i tretë më i madh i gëzofit pas Kinës dhe Danimarkës.

Vendi është gjithashtu një eksportues i madh i mishit ”kosher” në Izrael dhe komunitetet hebraike në Europë.

“Standardet e Polonisë për kafshët nuk duhet të jenë më të ulëta, por më të mira se ato të vendeve perëndimore”, ishte shprehur Kaczynski kohët e fundit.

Çmimi Nobel për Letërsinë, polakja Olga Tokarczuk gjithashtu kërkoi gjithashtu miratimin e këtij ligji./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.