Përmet/ Rehabilitim i kanalit vaditës 3.5 km në fshatin Strëmbec, lehtësi fermerëve për ujitjen e tokave

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Fermerët e fshatit Strëmbec në Përmet tashmë mund të vadisin tokat e tyre bujqësore falë investimit të bashkisë Përmet në ndërtimin e kanalit vaditës në këtë zonë, me gjatësi 3.5 km.

Bashkia e Përmetit bën të ditur se “shumë shpejt nis punimet për ndërtimin e rrjetit ujitës Bodar-Kutal. Për vite me radhë këto dy fshatra nuk kanë njohur sistem ujitje, gjë e cila ka ndikuar negativisht në ekonominë e fermerëve të kësaj zone”.

“Ky projekt sa strategjik dhe i nevojshëm për zhvillimin e bujqësisë, ndryshe nga projektet e realizuara për kanalet vaditëse, do të jetë një sistem ujitës i mbyllur ku vaditja do të bëhet me spërkatje, e kontrolluar me matësa për çdo përdorues, duke shmangur në këtë mënyrë shpërdorimin e ujit dhe mbrojtjen e terrenit”, – theksoi bashkia.

Sipas bashkisë, bujqësia është një ndër sektorët prioritarë të bashkisë, e cila meriton vëmendje maksimale.

“Shumë shpejt me projekte të tjera që do të lehtësojnë jetën e banorëve tanë”, tha bashkia.

Ndërhyrja rrënjësore te kanalet kulluese e vaditëse bën të mundur që fermerët të kenë ujitjen e domosdoshme të prodhimeve të tyre, por edhe të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve të stinës së dimrit. /k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.