Pampuri: Në shkollën “Muharrem Plaku” në Shijak, mbipopullim nxënësish

TIRANË, 18 shtator /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së Orjola Pampuri deklaroi sot se në shkollën “Muharrem Plaku” në Shijak, bëjnë mësim edhe tri shkolla të tjera, përveç nxënësve të kësaj shkolle.

Sipas saj, në Shijak, në një ndërtesë bëjnë mësim 3 shkolla dhe nuk ruhet distancimi social dhe siguria e nxënësve është mision i pamundur.

“Përveç mbingarkesës, e cila nuk mund të zgjidhet as me 3, as me 4 e as me 5 turne, një problem tjetër po kaq serioz është edhe transporti i nxënësve për të cilin janë vënë dispozicion dy autobusë, të cilët absolutisht nuk mund të përmbushin as edhe një kusht të vetëm të masave antiCovid, dyndje nxënësish shfaqen çdo ditë duke rrezikuar njëri-tjetrin, mësuesit në shkollë, e më pas prindërit e gjyshërit në shtëpi”, tha ajo.

“Të gjitha këto denoncime janë sinjal për të marrë masa konkrete, para se të jetë vonë”, tha Pampuri. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.