Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Bylykbashi: Listat e hapura, alibi për ndryshimin e formulës së koalicioneve

TIRANË, 18 shtator /ATSH – I. Vata/- “PS ka përdorur listat e hapura për të hequr koalicionet”, deklaroi sot përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik Oerd Bylykbashi, i ftuar në një emision televiziv.

“Nuk janë lista të hapura dhe nuk është ajo që prisnin shqiptarët. Qartazi, ishte  një përpjekje e PS-së për të përdorur lista e hapura për të hequr koalicionet”, theksoi ai.

Duke folur për atë çfarë ndodhi në Këshillin Politik, Bylykbashi tha se “ndodhi ajo që ne kishim paralajmëruar që ditën e hënë”.

“Kishim kërkuar që Këshilli Politik t’i drejtohet OSBE/ODIHR për ekspertizë në lidhje me  çështjet e koalicioneve. Është një nga çështjet më të mëdha që ka hapur debat sot në  raport me sistemin zgjedhor, në raport me reformën zgjedhore. Ka një ndarje të pastër mes opozitës dhe mazhorancës”, tha ai.

Ai tha u përdorën listat e hapura si një alibi për të hequr koalicionet.

“Në fund fare, ajo që të gjithë e shohin, është se nuk janë lista të hapura, dhe e gjithë ajo që kërkohet të bëhet është heqja e koalicioneve siç janë sot në Kodin Zgjedhor”, tha Bylykbashi. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.