“Ligji për Presidentin”/ Meta: Le të më shkarkojnë, nëse duan shpërndaj parlamentin para 25 prillit

TIRANË, 18 shtator/ATSH-Maela Marini/ Presidenti Ilir Meta reagoi sot ndaj nismës për kalimin në Kuvend të ligjit organik për institucionin e Presidentit të Republikës.

“Nuk ka ligj antikushtetues të dalë nga një parlament antikushtetues që pengon të drejtën e Presidentit për të mbrojtur Kushtetutën. Unë jam presidenti i popullit të 2 marsit, as i opozitës dhe as i LSI-së. Unë them që këtë punë ta zgjidhim në 25 prill, në mënyrë të qetë, në mënyrë demokratike. Duan të shpërndahen para 25 prillit, mos të dinë ku të futen? Le ta provojnë, është çështje e tyre. Unë këtu jam, këtu më kanë. Duan të më shkarkojnë? Të më shkarkojnë, të vijnë këtu e të shohim se kush do ta shkarkojë njëri-tjetrin. Kush i pengoi këta të më shkarkonin mua?” – tha Meta gjatë një konference për shtyp.

Ai theksoi se “Presidenti ka respektuar e do të respektojë Kushtetutën dhe jo grushtin e shtetit”. “Nuk trembet më njeri në këtë vend, tremben të tremburit. Se çfarë bën mazhoranca, kjo është një zgjedhje e saj. Presidenti di vetëm të respektojë Kushtetutën dhe do t’i përshtatet çdo situate në mbrojtje të Kushtetutës. Asnjë i sëmurë mendor apo i marrosur pas pushtetit të pamerituar dhe të vjedhur nuk do t’i shkojë mendja që Presidenti i këtij vendit mund të frikësohet që të përmbushë misionin e tij historik, që të jetë presidenti i 25 prillit”, tha Meta.

Ai theksoi se “për mua ka vetëm një gjë rëndësi: zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Meta ftoi të gjithë aktorët politikë t’i qëndrojnë Marrëveshjes së 5 qershorit dhe të mos devijojnë asnjë milimetër nga ajo marrëveshje.

“Përshëndes opozitën që ka qenë e gatshme për hapjen e listave 100%. Ftoj të gjitha forcat politike ta bëjnë këtë gjë që qytetarët të zgjedhin edhe deputetët brenda forcave politike. Dhe në rast se mazhoranca nuk dëshiron t’i hapë listat e veta, le t’i bëjë të mbyllura, por nuk ka pse t’i pengojë forcat e tjera politike, në mazhorancë apo opozitë. Në rast se do të kemi shkelje të njëanshme sikurse është vepruar me ndryshimet Kushtetuese, atëherë është e qartë se kemi tentativë për grusht shteti dhe kuptohet që grushti i shtetit do të shtypet nga grushti i popullit”, tha ai. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.