LESBOS – 6 000 refugjatë në kampin e ri, 157 persona pozitivë me COVID-19

ATHINË, 18 shtator /ATSH-AFP/ – Rreth 6 000 nga 13 000 refugjatë të mbetur të pastrehë pas zjarrit që përfshiu kampin e Morias, në ishullin e Lesbos, u vendosën në kampin e ri, theksuan sot autoritetet greke, sipas të cilave 157 prej tyre kishin rezultuar pozitivë me COVID-19.

“Të paktën 6 000 persona kanë hyrë në kamp, 157 janë testuar pozitivë”, theksoi për median, Alexandros Ragavas, një prej zëdhënësve të ministrisë greke të Migracionit.

Që prej zjarrit natën e 8-9 shtatorit, këto mijëra persona që jetonin në kushte të vështira në kampin e Morias, “turpi i Europës” sipas OJQ-ve, ishin vendosur buzë rrugëve dhe nëpër parkingjet e supermarketeve.

Shumë prej tyre ngurronin të strehoheshin në kampin e ri, nga frika se do të mbylleshin përsëri, siç kishin qenë prej muajsh në kampin Moria. Por, një operacion policor dhe kërcënimet për të mos përpunuar kërkesat e azilit të kryengritësit, shtyu disa mijëra refugjatë të hynin në kampin e ri.

Me të mbërritur, të gjithë janë testuar për COVID-19, dhe janë instaluar dy zona karantine.

Ky kamp i ri i ndërtuar me shpejtësi do të jetë në gjendje të strehojë 8 000 deri në 10 000 persona, të ndarë sipas kombësive./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.