“Koha të votojmë Kodin Zgjedhor”/ Balla: Lista e kandidatëve të partive apo koalicioneve do të jetë 100% e hapur

TIRANË, 18 shtator /ATSH – I. Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi sot se listat e kandidatëve të partisë apo të koalicionit zgjedhor do të jetë 100% të hapura.

“Të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vetë renditjen e partisë që i propozon. Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të rirendisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale. Në vëmendje mund të sjellim shembujt e Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Suedisë”, tha ai.

Po ashtu, Balla shtoi se nuk ka sisteme elektorale perfekte dhe as sisteme elektorale që u japin pakicave fitoren në tavolinë.

“Prandaj është koha për ta votuar Kodin Zgjedhor duke diskutuar intensivisht mes palëve dhe duke i harruar shantazhet, akuzat dhe bllofet! Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe ne s’mund të presim gjatë për votimin e risive që reflektojnë ndryshimet kushtetuese”, tha ai. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.