FRANCË – Garancitë mjedisore të nevojshme për marrëveshjen tregtare BE-MERCOSUR

PARIS, 18 shtator /ATSH-DPA/ – Garanci të reja mjedisore janë të nevojshme përpara se Bashkimi Europian të mund të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me bllokun e Amerikës së Jugut, MERCOSUR, tha sot qeveria franceze.

“Një raport ekspertësh ka mbrojtur vendimin e presidentit Macron të vitit të kaluar se Franca nuk mund ta mbështeste marrëveshjen ashtu siç ka qenë më parë”, tha një deklaratë e qeverisë.

Marrëveshja tregtare, e rënë dakord në qershor të vitit të kaluar, por e paratifikuar ende, do të krijojë zonën më të madhe të tregtisë së lirë në botë, që përfshin BE-në dhe shtetet e MERCOSUR-it: Brazil, Argjentinë, Paraguaj dhe Uruguaj.

Megjithatë, shpyllëzimi në pyjet e Amazonës dhe trajtimi i zjarreve në pyje nga presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, kanë bërë që udhëheqësit europianë të rishikojnë marrëveshjen.

Qeveria franceze tha se Europa duhet të bjerë dakord për mënyrën se si të sigurohet që vendet e Mercosur-it të përmbushin angazhimet e tyre klimatike sipas marrëveshjes së Parisit./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.