FOTOGALERI-VIDEO/ Rëndësia e investimit në shkencë, domosdoshmëri për zhvillimin e shëndetit të së ardhmes

TIRANË, 18 shtator/ATSH-Z.Tosku/ Në mjediset e jashtme të Akademisë së Shkencave u mbajt sot forumi i organizuar nga Njësia e Kërkimit për Bioteknologjinë dhe Gjenetikën i cili bëri bashkë figura të njohura të mjekësisë dhe personalitete të fushës së shkencës.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se ky takim vjen si rezultat i një pune 8 mujore, ku në situatën e pandemisë veçanërisht u pa rëndësia e madhe që i duhet dhënë akoma më tej fushës së bio-shkencës, bio-teknologjisë apo gjenetikës.

“Sot më shumë se çdo herë tjetër, njerëzit e kuptojnë që investimi në shkencë, në kërkim shkencor është shumë i rëndësishëm, aq më tepër në fushën e bio-shkencës. Kjo tregon edhe atë që Akademia e Shkencave me ngritjen e kësaj njësie pikërisht në këtë fushë, me ardhjen e pandemisë tregon që ka goditur në drejtimin e duhur sepse ne sigurisht duhet të bëjmë rolin e koordinimit por nuk mund të thuash që çdo gjë që bëhet të drejtohet apo të nxitet prej këtej po ama drejtimet kryesore po. Ndaj edhe ne jemi fokusuar tek bio-shkenca, nano-teknologjia dhe inteligjenca artificiale. Arsyeja e dytë është dhënia e mesazheve që njerëzit e shkencës do të jenë gjithnjë e më të vlerësuar që edhe të rinjtë të mos zgjedhin rrugën e kurbetit apo të largimit pasi me rritjen e investimit, me rritjen e interesit e nivelit shkencor të qendrave të këtushme, ata shohin që ka të ardhme edhe në Shqipëri dhe mund të ushtrojnë talentin e tyre edhe në Shqipëri.

Pikërisht, kësaj u shërben edhe ky takim, që të mund të kthejmë sytë e vëmendjen sa më shumë nga shkenca dhe veçanërisht ti bëjmë të qartë qeverisë, opinionit publik që investimi në shkencë është një investim që gjithmonë kthehet në 5-fish dhe 10-fish. Është një investim si për të ardhmen, si për të sotmen sepse është një investim si për përmirësimin e jetesës por edhe për mbijetesën siç është përballimi i pandemive dhe situatave të tjera kritike që prekin shëndetin e njeriut’’, u shpreh Gjinushi për ATSH-në.

Nga ana e tij, profesori dhe mjeku Genc Sulçebe theksoi ndër të tjera për ATSH-në se, “bio-teknologjia dhe gjenetika janë degë të shkencës së sotme të cilat sot janë të domosdoshme për zhvillimin e shëndetit të së ardhmes”.

“Mjafton të mendojmë edhe për pandeminë e tanishme nga COVID-19 ishte pikërisht ndryshimi në bio-teknologji, pra në metodat e testimit dhe teknologjinë laboratorike dhe kërkimore e cila bëri atë hapin e madh të zhvillimit, qoftë të diagnozës, qoftë të zhvillimit të vaksinës në krahasim me epidemitë e mëparshme. Pra një aplikim sot i rëndësisë së bio-teknologjinë. Pikërisht ky forum kishte si qëllim që të fokusohet në rëndësinë e fushave të bio-teknologjisë si dhe rëndësinë e këtyre fushave në të ardhmen. Këto janë të domosdoshme për përmirësimin e shëndetit, për përmirësimin e cilësisë së jetës, janë të vetmet mjete që kanë rëndësi sot në këto drejtime, kryesisht në shëndetin e njeriut. Njëkohësisht, duke qenë teknologji të kohës, teknologji të së ardhmes këto do të angazhojnë edhe të rinjtë, do të bëjnë që të rinjtë të përfshihen në këto fusha për të ardhmen e vendit tonë.

Qëllimi i këtij forumi është të sensibilizojë të gjithë opinioni shkencor por edhe më gjërë për nevojën që puna kërkimore, të forcohet, të zhvillohet, të krijohen laboratorë të ri kërkimorë në universitetet tona të cilat do të hapin rrugën e së ardhmes’’, u shpreh mjeku Sulçebe për ATSH-në. z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.