Formula e koalicioneve/ Gjiknuri: PD të bëjë propozime konkrete, nuk i shkohet ODIHR me çështje hipotetike

TIRANË, 18 shtator /ATSH – I. Vata/ “Unë pres që PD të vijë me draft konkret ose të bëjë komente mbi draftin tonë, të bëjë propozime se çfarë nuk shkon me propozimin që ne kemi bërë për koalicionet”, tha sot përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri në një intervistë televizive.

Gjiknuri foli në lidhje me propozimet e opozitës në takimin e sotëm të Këshillit Politik. “Nuk shkohet me çështje hipotetike te ODIHR”, theksoi ai.

“Kushtetuta thotë se partitë politike kanë të drejtë të propozojnë, do të thotë se ka nevojë për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor. Kodi Zgjedhor thotë se për të garuar si koalicione, partitë bëjnë një marrëveshje, paraqesin një listë ku rendisin kandidatët e partive. Ne hapëm listat. Mbyllëm listat e partive dhe hapëm listat për individët, do të thotë se çdo individ ka të drejtë të votohet, të federohet në një koalicion”, tha ai.

Në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga partia, përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri tha sot se në të gjitha vendet me sistem proporcional rajonal ka një listë partie. “Edhe Kushtetuta e Shqipërisë thotë se zgjedhësi, zgjedh edhe partinë politike dhe kandidatin e preferuar, pra kemi të bëjmë me një listë preferenciale dhe ka dhe një renditje. Renditja është që ai që konkurron dhe pavarësisht se është poshtë listës të kandidatëve, nëse arrin një peshë të caktuar që është sa mesatarja e votës që ka marrë partia, ai automatikisht del dhe zgjidhet deputet”, u shpreh Gjiknuri.

“Pse është kjo? Sepse ti kur kandidon merr dhe dividentin politik të partisë. Ti nuk ke dalë si emër dhe merr dhe vlerat e forcës politike. Dhe është elektorati i partisë që gjykon që kush janë njerëzit më me peshë që mund të thyejnë dhe renditjen e partisë”, tha ai.

Në lidhje më listat e partisë, Gjiknuri tha se lista e partisë ka renditje, por i jepet e drejta elektoratit që ta ribëjë këtë renditje dhe ky është parimi. “Pra, unë si zgjedhës në listën e PS mund të zgjedh X person, apo Y, dhe nëse një nga këta ka marrë më tepër vota sa i takon për një mandat, tregon se ka peshë elektorale dhe e thyen listën e partisë”, theksoi Gjiknuri.

Për sa i përket procedurës së votimit, Gjiknuri tha se këto janë çështje teknike që i vendos KQZ-ja.

“Zgjedhësi voton një votë për partinë dhe një votë për individin, njëri mund të mos votojë për individin, por për partinë. Në të gjitha rrethanat edhe vota për individin i shkon partisë”, tha ai. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.