Cakaj takon Xhaferrin: Kontributi i shqiptarëve, thelbësor në ruajtjen e drejtimit euroatlantik të MV

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, përfundoi vizitën zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut duke zhvilluar një takim me Kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin.

“Pafundësisht i lumtur me ngritjen e pashembullt të përfaqësimit të shqiptarëve në institucione shtetërore dhe rolin e jashtëzakonshëm në politika drejtuese të Maqedonisë së Veriut”, theksoi Cakaj në një reagim mbi takimin.

Më tej Cakaj, u shpreh se kontributi i shqiptarëve ka qenë thelbësor, jo vetëm në reformat e brendshme dhe forcimin e demokracisë, por edhe në ruajtjen e drejtimit euroatlantik të vendit, nëpërmjet ndjekjes së përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë.

Gjithashtu, kryediplomati Cakaj shprehu gatishmërinë e plotë që kanë të dy vendet në vijueshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë në kuadër të NATO-s dhe punës së përbashkët drejt anëtarësimit në BE.

“Maqedonia e Veriut do ta mbështesë Shqipërinë për të marrë ulësen e anëtarit jo të përhershëm në Këshill të Sigurimit 2022-2023”, përfundoi Cakaj reagimin e tij.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.