Cakaj në Shkup, takime me zv.kryeministrat Grubi dhe Dimitrov: Bashkëpunim politik për procesin e anëtarësimit në BE

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë qëndrimit në Shkup, u takua edhe me dy zëvendëskryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe Nikola Dimitrov.

Takimi i ministrit të Jashtëm në detyrë Cakaj me zëvendëskryeministrin Grubi u fokusua në diskutime mbi disa projekte në infrastrukturë dhe energji, që duhet të jenë në qendër të mbledhjes së ardhshme ndërqeveritare.

“Ndamë krejtësisht të njëjtën pikëpamje për suksesin e pashembullt të ngritjes së shqiptarëve në institucionet qendrore të Maqedonisë së Veriut dhe faktin se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë”, u shpreh Cakaj.

Sa i përket takimit me zëvendëskryeministrin Dimitrov, Cakaj theksoi se tema e diskutimit ishte puna e dy vendeve drejt mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Ashtu siç kemi punuar bashkërisht nga qershori 2018 në procesin e ‘screening’, u pajtuam të thellojmë bashkëpunimin mes vendeve në nivel teknik e politik, për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, përfundoi Cakaj.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.