BSH: Numri i kartave të debitit u rrit në 1 milion e 73 mijë, në 3-mujorin e dytë

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Numri i kartave të debitit, (kartë e llogarisë bankare, ku akreditohet edhe paga) u rrit 1 milion e 73 mijë në tremujorin e dytë të vitit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në tremujorin paraardhës numri i këtyre kartave ishte 1 milionë e 47 mijë.

Ndërsa numri i kartave të kreditit në qarkullim, shënoi rënie me 1,94% në 3-mujorin e dytë të vitit.

Sipas BSH-së, në tremujorin e parë regjistroheshin 114 941 karta krediti, ndërkohë që në tremujorin e dytë të vitit, kjo shifër ra në 112 749.

Kartat e pagesave janë një produkt financiar standard dhe një nga instrumentet më të përdorura për pagesa pa para të gatshme në të gjithë botën. Përparësia kryesore e kartave të pagesave është shpejtësia e transaksioneve, pa pasur nevojë për mbajtjen e parave të gatshme, si dhe pranimin e tyre të gjerë përmes vendeve të shitjes, si brenda ekonomisë vendase ashtu edhe jashtë vendit. Më shpesh përdoren kartat me funksion të debitit dhe me funksion të kreditit.

Kartat e debitit janë të lidhura me një llogari bankare dhe i mundësojnë zotëruesit (personit fizik ose juridik) të tërheqë para të gatshme nga karta nëpërmjet bankomatit ose të paguaj për mallrat dhe shërbimet e blera, në pikën fizike të shitjes – POS – terminal (ang. Point of sale) ose pikën virtuale të shitjes, gjegjësisht përmes internetit. Secili prej këtyre aktiviteteve rezulton në debitimin e llogarisë bankare me të cilën lidhet karta e debitit. Debitimi, gjegjësisht tërheqja e fondeve nga llogaria bankare mund të jetë pa vonesë (menjëherë) ose me vonesë të specifikuar kohore (pas një periudhe të caktuar).

Ndërsa kartat e kreditit mund të mos lidhen me një llogari konkrete dhe përmes tyre i lejohet zotëruesit përdorimi i fondeve në shumën e kufirit të miratuar të kredisë (linja e kredisë). Shuma dhe periudha kohore në të cilën mund të përdoret kufiri i kredisë, si dhe shuma e normës së interesit të aplikuar për fondet e përdorura, rregullohen në një marrëveshje midis klientit dhe emetuesit të kartës së kreditit. Në një datë të caktuar në muaj, banka rishikon përdorimin e kartës dhe shkallën në të cilën është përdorur kufiri i kredisë. Më pas, në varësi të kushteve të përcaktuara në kontratë, banka duhet t’i sigurojë zotëruesit të kartës së kreditit një pasqyrë mujore, duke përfshirë informacionin për shumën minimale për të shlyer.

Shuma minimale e shlyerjes zakonisht caktohet në një nivel të ulët (zakonisht 3 deri në 10% të limitit të kredisë së përdorur), por zotëruesi i kartës ka mundësinë që të paguajë më shumë sesa shuma minimale. Duke paguar vetëm shumën minimale, klienti duhet të jetë i informuar për rëndësinë e tij për pagesa të mëtejshme dhe çdo kosto shtesë të borxhit të mbetur, i cili mund të ndryshojë nga një emetues të kartave të kreditit në një tjetër. e.xh//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.