Braçe: Çmimi për të parë ndeshjen e Superligës 23 mijë lekë e qeveria të heqë taksat

TIRANË, 18 shtator /ATSH – I. Vata/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar në lidhje me kërkesën që kanë bërë klubet sportive për heqjen e taksave.

Braçe thekson se për të parë një ndeshje të Superligës duhen paguar 23 mijë lekë.

“Letër e hapur për futbolldashësit. A e dini që për të parë ndeshjet e Superligës (ato që nuk luhen), paguajmë 23 mijë lekë? Pra 5 mijë lekë më shumë se vjet. Tani, garën e futbollit shqiptar e organizoj unë, Mreti. Gjyqtarët në garën e futbollit shqiptar i caktoj e paguaj unë, Mreti. Të drejtën televizive të garës së futbollit shqiptar e shes unë, Mreti. Të drejtën televizive të garës së futbollit shqiptar e blej po unë me biznesin tim, Mreti. Për të parë garën e futbollit shqiptar, ju të gjithë duhet të më paguani mua, Mretin”, shprehet ai.

“Madje duhet të më paguani edhe kur gara nuk luhet fare. Madje, madje duhet të më paguani edhe kur unë rris çmimin me 5000 lekë njëherësh. Pra, të gjitha, paratë, edhe topi është i imi. Qeveria të heqë taksat e tatimet, të falë edhe borxhet. Unë jam Mreti dhe ju duhet të lexoni këtë letër të hapur. Ndryshe, ua sula Koçon”, përfundon Braçe. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.