Ambasadorja Kim: Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale brenda 2020

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim kërkoi sot që Presidenti Ilir Meta dhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi të punojnë urgjentisht me organet përkatëse për të ngritur brenda vitit 2020, Gjykatën Kushtetuese.

Ambasadorja Kim shprehu dakordësinë e saj me opinionin e Komisionit të Venecias që të dy palët të tregohen bashkëpunuese me organet përkatëse.

“Faleminderit Presidentit Ilir Meta dhe Kryetarit Gramoz Ruçi, që bëtë të qartë se Shqipëria ka nevojë për një Gjykatë Kushtetuese funksionale tani. Ne jemi dakord. Duke marrë parasysh mendimin e Komisionit të Venecias, këta dy liderë duhet të punojnë urgjentisht me organet përkatëse për ta bërë funksionale brenda vitit 2020”, tha Kim.

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është një nga pikat që po kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët dhe është një nga kushtet që duhet plotësuar për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare për nisjen e bisedimeve të integrimit mes Shqipërisë dhe BE-së. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.