“Zotimi im, kufizim i mandatit të kryeministrit”/ Basha: Nuk ka premtime për mrekulli, PD do krijojë shtresën e mesme

TIRANË, 17 shtator/ATSH-A. Fortuzi/- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të enjten në mbrëmje se kufizimi i mandatit të kryeministrit është objektiv i qeverisjes së PD.

“Zotimi im, kufizimi me dy mandate i kryeministrit. Do ta bëj ligj me kushtetutë. Nëse parlamenti i ardhshëm nuk e pranon, që nuk e shoh të mundur, do i drejtohem qytetarëve me referendum. Nëse nuk e arrin për dy mandate atë që ka premtuar, pse e do të tretin. Kufizimi i pushtetit kërkon masa reale. I qëndroj krijimit të senatit dhe sistemit parlamentar”,- tha Basha.

Kreu i demokratëve tha se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për detin.

“Të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, drejtimi te Gjykata e Hagës apo një tjetër gjykatë arbitrare. Faktet tregojnë që sot Rama është kthyer te propozimi im”,- tha Basha.

Sipas tij, alternativa e PD është konsolidimi i shtresës së mesme. “Fermeri shqiptar mezi mbijeton, në Kosovë e në Maqedoni janë shtresë e mesme. Pse të mos jenë edhe tanët?”

“Dy janë qëllimet kryesore të programit tonë politik, së pari të krijojmë një shtresë të mesme të shqiptarëve dhe institucionet t’u takojnë qytetarëve. Shtresë e mesme janë ata që kanë 1 milion lekë të vjetra të ardhura në muaj”,- tha Basha.

“Me këtë pavarësi financiare që kanë të vetëpunësuarit përbëjnë në çdo shoqëri motorin e zhvillimit. Ne kemi një shtresë të mesme pothuajse hije. Mbi 25 mijë persona kanë deklaruar paga mbi 1 milion të vjetra. 10 apo 15 veta janë deklaruar milionerë dhe multimiliarderë”,- deklaroi Basha.

Sipas Bashës, një ndër elementët bazë të këtij programi është taksa e sheshtë 9% për të gjitha të ardhurat personale. “Prej më shumë se dy vjetësh PD është në një punë serioze për një program realist konkret për ta nxjerr vendin nga kriza. Këtu janë disa nga ekspertët më të njohur në botë në përballimin e krizave ekonomike. Këtu janë disa nga ekspertët më të njohur të vendeve të Europës si Gjermania, të cilët kanë njohur problematikën shqiptare prej gjashtë vitesh, që po na ndihmojnë dhe ekipi tim ekonomik që është ekipi më i mirë që vendi ka sot në formatin e partive politike”, u shpreh Basha.

“Pa diskutim kemi marrë edhe ndihmën e ekspertëve të shquar të vendit. Pra është një proces që ka nisur prej kohësh dhe sot është në përfundim, është një proces i cili është fragmentizuar sipas çdo sektori. Nuk ka me këtë program premtime për mrekullira, duhet ta them të parën këtë. Nuk ka në këtë program premtime false. Por në këtë program ka zgjidhje reale dhe konkrete të zbatueshme për të gjithë sektorët e ekonomisë”,- tha Basha.

“300 mijëlekëshi është pa taksa dhe mbi 300 mijë lekë taksa do të jetë 9% për të ardhurat personale, për tatimin mbi biznesin, për sigurimet shoqërore. Biznesi i vogël ka një trajtim tjetër. Do klasifikohet biznes i vogël çdo biznes me xhiro vjetore nën 140 milionë lekë të vjetra dhe do paguajë një taksë të vetme që është 0.5% e xhiros vjetore dhe asnjë lloj tatimi tjetër qendror ose lokal. E gjithë kjo pjesë e taksës do t’i dedikohet pushtetit vendor, por taksa të çmendura si taksa për shkollën apo tarifa të tjera që vjedhin qytetarët dhe biznesin, nuk do të ekzistojnë më”,- theksoi Basha.

Basha, duke folur për koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve, tha se “unë nuk shkoj kurrë të kërkoj votat e qytetarëve për të qeverisur me Edi Ramën. Modeli i Ramës është të bëjë çdo gjë për pushtet. Unë dua pushtet për të bërë ato që u premtoj qytetarëve. Nuk do të shkoj të bëj qeveri me Edi Ramën sepse ministrat e Edi Ramës duhet të mbajnë përgjegjësi. Ata duhet të shkojnë në opozitë dhe të distancohen nga krimi dhe korrupsioni. Është e paimagjinueshme që PD të bëhet fasadë e kësaj”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.