Treguesit fiskalë për 8-mujorin/ 96,1 miliardë lekë mblidhen në buxhet nga Doganat

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhet nga drejtoria e përgjithshme e Doganave për periudhën janar–gusht të këtij viti, janë realizuar në masën 96,1 miliardë lekë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi se këto të ardhura janë realizuar në masën 99,5% e planit të periudhës. Sipas saj, plani ishte për të arkëtuar 96,5 miliardë lekë.

Të ardhurat nga TVSH në import për 8 mujorin rezultojnë 62.6 miliardë lekë, 588 milionë ose 0,9% më pak se plani i periudhës janar – gusht 2020. Efektet e pandemisë kanë sjellë një tkurrje me 8,5 miliardë lekë ose 11,9% rënie në krahasim me një vit më parë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 28.3 miliardë Lekë, duke tejkaluar me 421 milionë lekë ose 1,5% më shumë planin e akcizës për këtë 8 mujor. Efektet e pandemisë në raport me të njëjtën periudhë të viti të kaluar kanë qenë 2,8 miliardë lekë ose 9% më pak.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1,2 miliardë lekë, me një tkurrje si rrjedhojë e efekteve të pandemisë prej 19,8% ose 298 milionë lekë më pak se 8 mujori i vitit të kaluar realizim në masën 81,7% kundrejt planit, ose 270 milionë lekë më pak, ndikuar nga tregtia dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare të çmimeve të lëndës minerare.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 3,9 miliardë lekë, 44 milionë lekë ose 1,1% më pak se plani i vitit 2020. Tkurrja si pasojë e pandemisë është reflektuar me 380 milionë lekë ose 8,8% më pak se 8 mujori i vitit fiskal 2019./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.