Tjetërsimi i pronave te “Rana e hedhun”/ Dënohet me 4 vite burg ish-kryetari i bashkisë Lezhë, reagon PD

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Gjykata e Lezhës dënoi sot me 4 vite burg ish-kryetarin e bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, lidhur me akuzat për tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin.

Po ashtu sipas Kodit Penal, Frrokajt iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 4 vitesh.

Vendimi u dha ditën e sotme për Frrokaj dhe zyrtarët e tjerë të akuzuar, ndërkohë që u shpall i pafajshëm Renato Malotaj, ish-futbollisti i Vllaznisë.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Shëngjinit nisën në 2017 kur një qytetar denoncoi se toka e tij rezultonte në Hipotekë në emër të disa familjeve të tjera. Prokuroria zbuloi një sipërfaqe të madhe toke prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.

Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”. Sipas vendimit për sekuestrim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.

Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj u arrestua në muajin mars të vitit 2018 me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa më pas gjykata vendosi që ai të hetohet në gjendje të lirë.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi kërkoi sot që Gjykata të qëndrojë larg ndikimeve politike dhe të bëjë drejtësi.

“Sapo u njohëm me vendimin e gjykatës për ish-kreun e bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj. Ne jemi të bindur për punën e shkëlqyer që ai ka bërë për Lezhën dhe qytetarët e saj, sikundër shprehim besimin se Frrokaj ka punuar çdo ditë me përkushtim dhe ndershmëri. Gjykimi në shkallën e parë ka patur mungesë transparence dhe indicie të forta për ndërhyrje të papërshtatshme politike. Jemi informuar gjithashtu se Frrokaj do ta apelojë vendimin. Ne shprehim bindjen se gjykimi në shkallët më të larta i kësaj çështje do të nxjerrë në dritë të vërtetën. Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë t’i qëndrojnë sa më larg ndikimeve të politikës në këtë proces dhe të bëjnë drejtësi”, tha Bardhi./m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.