SHBA – Oxfam: Vendet e pasura kanë rezervuar gjysmën e dozave të ardhshme të vaksinës antiCOVID-19

UASHINGTON, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Një grup i vendeve të pasura që përbëjnë 13% të popullsisë botërore ka blerë paraprakisht gjysmën e dozave të ardhshme të vaksinës kundër COVID-19, sipas një raporti të publikuar nga OJQ-ja Oxfam.

Logjika e këtyre vendeve është të furnizohen si një masë paraprake nga prodhuesit e shumtë konkurrues, me shpresën se të paktën një prej vaksinave të tyre do të dalë efektive, por raporti nënvizon vështirësinë që do të ketë një pjesë e popullsisë botërore për të gjetur vaksinat në periudhën fillestare, ndërkohë që dispozitiv ndërkombëtar bashkimi i quajtur Covax, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), është bojkotuar nga Uashingtoni dhe nuk ka financim.

SHBA-ja që nga maji, më pas Britania e Madhe, Bashkimi Evropian, Japonia dhe vendet e tjera nënshkruan kontrata të shumta që garantojnë paraprakisht prodhimin dhe shpërndarjen e dozave nëse provat klinike në progres do të ishin përfundimtare.

Madje amerikanët do të kenë doza që prej muajit tetor, në mënyrë që të jenë të gatshëm t’i shpërndajnë ato brenda 24 orëve nga një autorizim i mundshëm shëndetësor.

Grupi AstraZeneca, një partner i Universitetit të Oksfordit, nënshkroi shumicën e këtyre kontratave publikisht, por Sanofi, Pfizer, Johnson & Johnson, laboratori bioteknik amerikan Moderna, laboratori kinez Sinovac dhe instituti rus Gamaleïa gjithashtu kanë parashitur qindra miliona doza në të gjithë botën, ndonjëherë në formën e partneriteteve me prodhuesit vendas.

Sipas Oxfam, kontratat janë nënshkruar tashmë me pesë nga këta prodhues në fazën 3 të provave klinike për 5,3 miliardë doza, nga të cilat 51% për vendet e zhvilluara duke përfshirë ato më sipër si dhe Australinë, Hong Kongun , Zvicrën dhe Izraelin.

“Pjesa tjetër është premtuar për vendet në zhvillim përfshirë Indinë, ku ndodhet prodhuesi gjigant “Serum Institute of India”, Bangladeshin, Kinën, Brazilin, Indonezinë dhe Meksikën”, sipas Oxfam./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.