Sekuestrohet trajleri me 1 272 koli cigare pa pullë fiskale/ Vlera e detyrimeve doganore rreth 100 milionë lekë

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Strukturat e Administratës Doganore sekuestruan ditën e sotme 1 272 koli cigare në degën doganore të Hanit të Hotit, pasi pas kontrollit të ushtruar u gjetën të papajisura me pullë fiskale duke u përpjekur të shmangin kështu detyrimet doganore në vlerën e rreth 100 milionë lekëve.

Lajmi u bë i ditur nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gjon Bardhi gjatë një deklarate për shtyp në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

“Pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese me paketa cigare të mbërritura në Degën Doganore të Hanit Hotit, Shkodër, nga Mali i Zi, strukturat e Administratës Doganore, ushtruan kontroll në mjetin e tipit trajler me targa të Bullgarisë, i cili ka hyrë në territorin doganor shqiptar, nga Mali i Zi. Pas kontrollit fizik nga strukturat doganore, rezultoi se ngarkesa prej 1 272 koli cigare, ose 636 mijë paketa të markës “President full flavour”, nuk ishte e pajisur me pullë fiskale të Republikës së Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër”, tha kreu i DPD-së.

Sipas tij, trajleri së bashku me sasinë e mallit prej 636 mijë paketa cigaresh u sekuestruan dhe po sot Administrata Doganore referoi rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, të parashikuar nga neni 172 të Kodit Penal.

“Sipas vlerësimeve të specialistëve tanë, nëse ky mall do të hidhej në treg, vlera e detyrimeve doganore që duhet të paguhej është 99.7 milionë lekë”, bëri të ditur Bardhi.

Dogana Shqiptare iu bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë që të denoncojnë çdo rast korruptiv apo kontrabande.

“Më lejoni që të ritheksoj, se çdo pikë e Shërbimit Doganor është në dispozicion dhe shërbim të çdo subjekti dhe qytetari 24 orë në 7 ditë”, vuri në dukje Bardhi.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.