Rindërtimi/ Thumana një qytezë e re, krahas banesave edhe shërbime të institucioneve publike

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni gjatë një interviste televizive deklaroi se procesi i rindërtimit ka nisur me intensitet, në një kohë kur qytetarët që u janë dëmtuar shtëpitë përfitojnë bonusin e qirasë.

“Është shumë e vërtetë që tërmeti i 26 nëntorit ka sjellë pasoja të jashtëzakonshme, padyshim mbi jetët e njerëzve, shkatërrim shtëpish, nga ana psikologjike që janë afatgjatë dhe që i përjetojnë të gjithë qytetarët apo familjarët që kanë humbur diçka nga ky tërmet. Procesi i rindërtimit është një proces shumë kompleks të cilin e kemi marrë si angazhim politik, njerëzor, institucional dhe po bëjmë më të mirën që ky proces të realizohet mirë, të jetë sa më i sigurt pavarësisht se koha duket më e gjatë, them që është një proces që do ti shkojmë deri në fund dhe do ta mbajmë angazhimin.

Pa dyshim që pandemia nuk paralizoi vetëm Shqipërinë por edhe të gjithë botën. Ishte tërësisht e paparashikuar dhe me shumë problematika komplekse dhe të panjohura, mund të ketë ngadalësuar pak procesin e rindërtimit. Ndërkohë që në Thumanë ka disa kategori familjesh. Një pjesë e tyre, 600 familje jetojnë me bonus qiraje, janë 500-600 të tjera që kanë marrë grant rikonstruksioni pasi është konkluduar se banesat e tyre kanë qenë në nivelin DS1-DS3 dhe kanë marrë grante në shifra të ndryshme për t’i rikonstruktuar vetë ndërkohë që një pjesë e tyre e familjeve që janë shkatërruar shtëpitë pop resin ndërtimin tërësisht të ri të Thumanës. Ka filluar puna prej kohësh, ka nisur puna në kantier dhe po punohet non stop. I gjithë procesi po bazohet në standard bashkëkohore dhe janë hedhur hapat e para dhe më pas do të realizohet plani që është një Thumanë tërësisht e re, që do të ketë banesa individuale, apartamente, shtëpi banimi po kështu shkolla, qendër shëndetësore dhe është një projekt shumë ambicioz të cilin edhe ne mezi e presim, pa dyshim qytetarët që kanë humbur shtëpitë mezi po presin, por ky është një proces që do pak durim dhe do angazhim maksimal dhe unë besoj shumë që do të realizohet me sukses, siç është premtuar. Thumana do jetë një qytezë e re, ku krahas banesave do të ketë edhe shërbime të institucioneve publike, do të ketë edhe një memorial kujtese për këtë që ishte në fakt që ishte në përmasa të mëdha, që solli fatkeqësi, në një kohë shumë të shpejtë procesi i rindërtimit do të japë rezultatet e veta”, deklaroi Gjermeni.

Po ashtu, deputetja theksoi se krahas banesave, prej tërmetit u dëmtuan edhe disa shkolla, të cilat kanë hyrë në fazë rindërtimi.

“Vërtetë dhe janë dëmtuar shkollat prej tërmetit por jemi munduar që fëmijët të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollat ku ka pasur dëmtime të rënda, sigurisht që u është mundësuar transferimi në shkolla të tjera duke iu siguruar transporti. Shkolla në Thumanë ka filluar prej kohësh të ndërtohet dhe në të gjitha shkollat ku ka pasur dëmtime, punë ka nisur dhe po mundohemi të bëjmë maksimumin. Angazhimi është maksimal që fëmijët ti kenë shkollat sa më afër banesave të tyre. Kjo është sfidë e përbashkët ku duhet të jemi të gjithë bashkë dhe në vende më të zhvilluara do ta kishin shumë të vështirë që ta përballonin. Mua më vjen mirë që angazhimi është maksimal që arritëm të marrim fonde nga Bashkimi Europian, që arritëm që rindërtimi ka filluar, që familjet po marrin grante për të rikonstruktuar në një kohë relativisht të shkurtër”, tha Gjermeni. z.tosku//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.