Rindërtimi/ Shkolla “Kajo Karafili” në Maminas dhe “16 Shtatori” në Shijak nuk do të kenë të krahasuar me shkollat që humbën nga tërmeti

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ 360 nxënës të shkollës “Kajo Karafili” në Maminas dhe 307 nxënës të gjimnazit “16 Shtatori”, në qytetin e Shijakut, do të studiojnë shumë shpejt në një mjedis të ri, që nuk do të ketë të krahasuar me shkollat që humbën nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë 26 nëntorin e vitit që lamë pas.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana deklaroi sot se ritmi i punimeve në të dy shkollat është i lartë dhe ne jemi në afatin e duhur që të mund të përmbushim premtimin që u kemi dhënë nxënësve dhe mësuesve të këtyre shkollave për t’i rindërtuar ato deri më 26 nëntor.

“Këtë 26 nëntor fëmijët do të kenë mundësi të frekuentojnë mësimin në shkollat e reja”, deklaroi Arbana.

Kreu i bashkisë bëri të ditur po ashtu se për ndërtimin e godinave arsimore po punohet me standarde të Bashkimit Europian.

“Në të gjitha kantieret e rindërtimit punimet po vijojnë me ritme të larta dhe i gjithë Shijaku po rindërtohet”, tha më tej Arbana./a.gjonaj/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.