Realizohen 52% e punimeve në kantierin e ujit në Leskovik/ Furnizim 24 orë me ujë për 3 mijë banorë

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se kantieri i ujit në Leskovik do t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të trashëguar ndër dekada për mungesën e furnizimit të pandërprerë me ujë të pijshëm.
Rama tha se “janë 18.8 km linjë e re dërgimi dhe 7.4 km rrjet i ri brendshëm e një sërë veprash infrastrukturore do të modernizojnë infrastrukturën 52-vjeçare krejtësisht të degraduar”.
“Vepra që do të transformojë jetën e 3 000 banorëve të Leskovikut, deri tani është 52% e realizuar dhe vijon puna me ritme të shpejta, që qindra familje brenda 2021 të kenë në shtëpitë e tyre 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi”, tha Rama.
Infrastruktura e ujësjellësit të Leskovikut datonte nga viti 1968. Si pasojë e degradimit të rrjetit, në periudhë thatësire furnizimi me ujë ishte 30 minuta deri në 4 orë në ditë. Qindra familje transportonin ujin e pijshëm nga burimet ujore.
Ndërkohë që sot janë realizuar 52% e volumit të punimeve. /m.m//a.a//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.