Këshilli Politik/ Opozita konfirmon pjesëmarrjen në orën 12:00

TIRANË, 17 shtator/ ATSH/ Opozita e Bashkuar konfirmon pjesëmarrjen në tryezën e Këshillit Politik, ditën e nesërme, por me kërkesën e shtyrjes nga ora 10:30 për në orën 12:00.
Në letrën e përfaqësuesve të opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili drejtuar Damian Gjiknurit thuhet se “në mbledhjen e fundit të Këshillit Politik nuk pati asnjë dakordësi për të zhvilluar mbledhje ditën e premte. Ju gjithashtu refuzuat kërkesën tonë për mbledhje të Këshillit Politik ditën e mërkurë”.
“Kjo logjikë e funksionimit të njëanshëm është krejt e kundërt me mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të Këshillit Politik, ku qoftë ditët e mbledhjeve ashtu edhe rendi i ditës janë dakordësuar konsensualisht më parë”, shprehen dy përfaqësuesit e Opozitës.
Megjithatë, thuhet në letër, “duke e konsideruar këtë si një veprim të gabuar tuajin por që nuk do përsëritet më, konfirmojmë pjesëmarrjen tonë dhe propozojmë që mbledhja të zhvillohet në orën 12:00”. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.