Investime dhe zhvillimi i ekonomisë/ Shpenzimet kapitale u rritën me 13.4 miliardë lekë në 2020

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se, “qëllimi i projektaktit që diskutojmë sot në Kuvend, është ndjekja e procedurave ligjore të tërheqjes së një marrëveshje ose njohur ndryshe në terma juridikë, denoncim i Marrëveshjes së Huasë”.

Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë, Denaj tha se, “Marrëveshja e Huasë mes Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit “Rehabilitimi i Rrugës së Lumit të Vlorës”, është ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë me Ligjin Nr. 100/2017. Projekti i rrugës së Lumit të Vlorës, ka 4 segmente (Lote), ku: Loti i katërt i këtij projekti ka pasur për synim lidhjen e dy rrugëve  Levan – Tepelenë – Gjirokastër me rrugën Vlorë – Sarandë, si dhe lidhjen e rajonit të Tepelenës me bregdetin jugor”.

Në vlerësimet teknike, u shpreh ministrja, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, lidhja e Tepelenës me Bregdetin e Jugut po realizohet aktualisht përmes rrugës Gusmar-Kuç dhe rrugës Bënçë – Lekdush, që financohen në kuadër të Programit të Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale me mbështetjen e Bankës Botërore.

Denaj solli në vëmendje se, tërheqja nga kjo marrëveshje është e dyanshme. Përmes kësaj dakordësie me palën saudite, do të adresojmë nevojat për sigurimin e financimit për projekte të tjera, e theksoj “pa kosto shtesë në buxhetin e shtetit”.

“Gjej rastin të falenderoj Fondin Saudit për Zhvillim, Bankën Botërore dhe të gjithë që kanë kontribuar për financim në këtë projekte infrastrukturore. Ata kanë pasur durim për të gjitha procedurat të cilat në aspektin juridik kanë marrë një kohë të caktuar. Njëkohësisht konstatoj se të gjitha punimet në këto rrugë janë në kohën e duhur dhe shumë shpejt do të jetë dhe inaugurimi i tyre përfundimtar”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, lidhja e bregdetit me këto zona malore ka një rëndësi shumë të madhe, jo vetëm sepse realizon një premtim të mbajtur të qeverisë Rama, por njëkohësisht dhe një ëndërr të të gjithë banorëve të këtyre zonave të cilët për më shumë se 30 vite presin këtë interkonjeksion më i shpejtë nga zonat e tjera malore me zonat urbane apo me bregdetin e jugut.

Njëkohësisht jam e bindur, tha Denaj, që kjo do t’i sjellë një zhvillim shumë të madh edhe turizmit, gërshetimit të turizmit bregdetar me atë malor. Një nevojë shumë e rëndësishme për të theksuar është dhe kthimi i banorëve në këto zona të cilat janë deri diku të braktisura dhe kthimi për të punuar tokën e tyre e për të ngritur agroturizmet si dhe për të zhvilluar biznesin e vogël.

Duke u ndalur në performancën fiskale ajo tha se, “të ardhurat totale të 8-mujorit e vitit 2020 u realizuan në masën 270.7 miliardë lekë ose 99.8% në krahasim me rishikimin që i është bërë në muajin korrik aktit normativ në raport me të ardhurat. Kujtojmë se ky rishikim ishte i domosdoshëm pas dy goditjeve të njëpasnjëshme, ai i tërmetit dhe pandemisë dhe i parashikimeve të cilat në ulje shikojmë një PBB të reduktuar në masën e 4.5% negativ”.

“Duhet të ritheksoj se në vitin 2020 ne nuk shkurtuam asnjë zë të shpenzimeve kapitale dhe e bëmë këtë të ndërgjegjshëm pasi është një mënyrë për të motivuar zhvillimin ekonomik dhe të çuarit përpara reformat e nisura dhe në aspektet e projekteve infrastrukturore”, tha Denaj.

Sipas saj, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 4.3% më i lartë ose rreth 13.4 miliardë lekë më shumë, ku kemi adresuar sigurisht jo vetëm paketën e parë dhe të dytë me shumën rreth 13 miliardë lekë për 300.000 shqiptarë.

Ministrja theksoi se, “të gjitha nevojat e naftëtarëve t’i shikojmë në të gjithë kompleksitetin dhe dua t’ju rikujtoj që një fond prej 28.8 milionë lekësh në këto paketa është adresuar për 721 naftëtarë. Më herët në këtë Kuvend ne kemi aprovuar një fond prej 1.5 miliardë lekësh, një paketë kompensimi financiar për minatorët dhe naftëtarët e cila është duke u adresuar proporcionalisht me të gjithë aspektin rregullator. Për çdo shqetësim që keni, ata që kanë lidhje me detyrimet buxhetore, ju ftoj të diskutojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

Për t’ju kthyer nevojës për raportim dhe në aspekt të shpenzimeve buxhetore, Denaj informoi se, janë miratuar 13 miliardë lekë nga dy fondet e garancisë për 751 përfitues biznesesh. Në aktin normativ kemi akorduar edhe për Fondit Shqiptar të Zhvillimit një shtesë fondi prej 3 miliardë lekë në programe zhvillimi.

“Shpërndarja e këtij fondi shkoi kryesisht në projekte rehabilitim segmentesh rrugore dhe rikualifikim urban në qendrat e disa qyteteve si, Vlorë, Fier, Shkodër, Berat, Pogradec etj. Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit janë alokuar edhe fondet për procesin e rindërtimit, duk e përfshirë  të gjitha zonat e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në total rreth 11.6 miliardë lekë, nga të cilat: rreth 7.3 miliardë lekë janë alokuar për rindërtimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti; rreth 4.3 miliardë lekë janë alokuar për rindërtimin objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti”, deklaroi Denaj.

Ajo theksoi se janë 34 miliardë lekë të akorduara në fondin e rindërtimit që menaxhohet nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin.

“Zhvillimi infrastrukturor është një domosdoshmëri për të lidhur të gjitha zonat jo vetëm urbane, por edhe rurale, pasi biznesi i vogël dhe i mesëm në këto zona ka një nevojë të shtuar për këtë infrastrukturë, për të zhvilluar biznesin dhe për të realizuar ato fitime të mundshme të cilat dhe me ndryshimet që i kemi bërë në ligjet fiskale në muajin korrik të tatim fitimit 0 dhe rritjes së pragut të TVSH-së, të ketë një mundësi të shtuar për ripunësimin pas COVID-19”, tha Denaj. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.