Gjirokastër, prefekti Aliaj kërkon kontrolle të shtuara në terren për zbatimin e masave antiCovid-19

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, kërkoi sot nga Taskforca antiCovid-19 intensifikimin e kontrolleve në terren për garantimin e zbatimit të masave dhe protokolleve të sigurisë veçanërisht në shkolla për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Gjatë takimit të zhvilluar sot në zbatim të detyrave të monitorimit të protokolleve të sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare në qarkun Gjirokastër, Prefekti theksoi se referuar shifrave të situatës epidemiologjike duhet tё mos ulet vigjilenca sidomos që në 14 shtator filloi viti shkollor 2020-2021.

Ai kërkoi gjithashtu një angazhim maksimal nga të gjithë institucionet përgjegjëse për marrjen e masave me qëllim mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor.

Të pranishëm në takim ishin anëtarët e Task Forcës Vendore antiCovid-19 si dhe drejtuesit e Zyrave Vendore Arsimore në qarkun Gjirokastër.

Nga anëtarët e Task Forcës u raportua mbi punën e bërë deri në këto momente dhe planet e masave të ndërmarra për ndjekjen e vitit shkollor sipas përgjegjësive të tyre.

Drejtuesit e ZVA-ve të qarkut Gjirokastër prezantuan situatën në institucionet arsimore, masat e marra prej tyre, ecurinë e procesit mësimor dhe problematikat e hasura nga fillimi i vitit shkollor 2020-2021. /k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.