FRANCË – FED ndërpret vrullin e bursave europiane 

PARIS, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Mungesa e njoftimeve nga Rezerva Federale Amerikane ndërpreu vrullin e bursave europiane, që e mbyllën seancën me vlera negative.

Shumica e tregjeve europiane të aksioneve përfunduan në të kuqe, përfshirë Parisin, që e mbylli seancën me -0,69%, Frankfurti me -0,36% dhe Londra me -0,47%.

“Takimi i Komitetit Monetar të FED, që përfundoi të Mërkurën, nuk doli me përfundime konkrete dhe prandaj dha përshtypjen se status quo-ja do të mbetet deri në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, të planifikuara për në 3 nëntor”, vërejti Mikael Jacoby, menaxher i brokerimit të Europës Kontinentale në “Oddo BHF”.

“Një element shtesë, që rëndoi në trend, ishte shqetësimi i OBSH-së për nivelin e transmetimit alarmues të COVID-19 në Europë”, theksoi Michael Hewson, analist në “CMC Markets”.

Edhe tregjet amerikane, gjithashtu, mbetën të tërhequra, veçanërisht indeksi i teknologjisë, Nasdaq, që humbi më shumë se 2%, menjëherë pas mbylljes së tregjeve europiane të aksioneve.

Gjithashtu, edhe tregu i normave të interesit të eurozonës reagoi pak ndaj takimit të FED, si edhe mundësisë së lënë hapur nga Banka e Anglisë për të ulur normat nën zero./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.