Europa League/ Teuta, Laçi dhe Kukësi përballen sot me rivalët në turin e dytë

TIRANË, 17 shtator /ATSH/Tre skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Europa League, Teuta, Laçi dhe Kukësi do të kenë sot testin e  radhës në Europë.

Të tre skuadrat ëndërrojnë të kalojnë në turin tjetër pasi luajnë të treja në shtëpi, por rivalët e sotëm janë një nivel mjaft të lartë.

Kështu skuadra e parë që  do të zbresë në fushë në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana” në kuadër të turit të dytë të Europa League është Teuta e trajnerit Edi Martini që pret në Durrës spanjollët e Granadas. Ekipi spanjoll bën sot debutimin në Europë por ndaj durrsakëve janë favorit.

Në orën 19:00 në fushë zbret Laçi që pret në “Elbasan Arena” izraelitët e Hapoel Ber Sheeva. Skuadra kurbinase kërkon të bëjë surprizën duke kaluar turin përballë një rivali që në letër është disi më i lehtë se ata të skuadrave të tjera.

Ndërsa në mbrëmje në orën 20:00 në “Air Albania” Kukësi i trajnerit  Skënder Gega pret ekipin gjerman të Wolfsburgut. Skuadra nga Bundesliga është sigurisht një rival shumë i fortë.

/gj.mima//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.