AFP: Turizëm nën tunelet e fshehta të paranojës së epokës komuniste shqiptare

PARIS, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Si gjarpër nën një kështjellë në Shqipërinë e Jugut, një rrjet i fshehtë tunelesh, i ndërtuar gjatë epokës komuniste, shfaq sekretin dhe paranojën që përcaktoi sundimin e gjatë të tiranit Enver Hoxha.

Sot komunizmi është zhdukur dhe bunkeri ushtarak është veçse një vend turistik, që ende tërheq vizitorë të rrallë gjatë pandemisë, në një kohë kur temat e frikës, izolimit dhe bllokimit bëjnë veçanërisht jehonë.

Kompleksi i gjerë nëntokësor, i quajtur tani tuneli i Luftës së Ftohtë, është pjesë e një projekti të madh dhe të kushtueshëm “bunkerizimi”, i drejtuar nga Hoxha, i cili kishte frikë nga pushtimi i huaj, gjatë qeverisjes së tij izoluese 40-vjeçare.

Për të fortifikuar shtetin, ai mbikëqyri ndërtimin e më shumë se 170 000 bunkerëve ushtarakë në të gjithë Shqipërinë.

Shumica janë struktura të vogla në formë kupole, të ndërtuara si vendroja për ushtarët, që ende mbushin peizazhin sot.

Matrica nëntokësore e ngulitur poshtë kështjellës së qytetit të lindjes së Hoxhës, Gjirokastrës, në jug të vendit, është ndër më mbresëlënëset.

Sot, ajo është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ekipet e ndërtimit punuan në fshehtësi me turne, për t’u siguruar që askush të mos e kuptonte planin e plotë për rrjetin 1 500 metra të gjatë të tuneleve, i ndërtuar për të vendosur komandën ushtarake, në rast të ndonjë sulmi të huaj.

Ai u rizbulua pas rënies së komunizmit, në vitet 1990 dhe që atëherë është bërë një tërheqje turistike.

Ndërkohë që COVID-19 i ka dhënë një goditje të rëndë sezonit turistik të Shqipërisë, rreth 300 vizitorë të pajisur me maska ​e kanë eksploruar strofkën nëntokësore këtë verë, përfshirë Alexandre Benlalam, një inxhinier kompjuterash 39-vjeçar nga Parisi.

“Sot, ne po vizitojmë këtë bunker për të reflektuar dhe menduar për kohën e trishtuar që po jetojmë me pandeminë. Ne jemi privuar nga disa liri: liria për të prekur njëri-tjetrin, për të folur me njëri-tjetrin, për t’u takuar”, tha Benlalam.

“Megjithatë, kufizimet e sotme janë në drejtimin e duhur, ndryshe nga ato nën diktaturën e hekurt të Hoxhës”, shtoi ai.

Raportimi i një lufte imagjinare

Pavarësisht se muret e tunelit tashmë po shkatërrohen dhe orenditë e vjetra të lëna pas janë të mbuluara me pluhur, në fillim, kompleksi ishte shumë i sofistikuar.

“Korridoret lidhnin depot e bombave bërthamore dhe shumë zyra për komandën ushtarake, policinë sekrete, prokurorët publikë dhe një gjykatë”, shpjegon Astrit Imeri, një ish-oficer ushtarak 67-vjeçar, ndërsa riviziton vendin e fshehtë nëntokësor.

”U gërmuan hapësira shtesë për operacione përgjimi, konvikte për gjumë, një furrë buke, rezervuarë uji dhe depo për një sasi pistoletash, kallashnikovësh dhe TT, për t’u përdorur kundër ndërhyrjeve të mundshme të armikut. Tuneli kishte të gjitha burimet e mundshme për të qëndruar atje jo vetëm për disa orë, por për ditë dhe javë të tëra” shtoi Imeri.

Ai ishte ndër ata që morën pjesë në stërvitje ushtarake, të organizuara brenda tuneleve, me qëllim përgatitjen për luftë.

Edhe vendasit u thirrën, gjithashtu, për të marrë pjesë, përfshirë Engjëll Serjanin, 60 vjeç, një gazetar radioje, i cili kujton se në atë kohë ai duhej të “mbulonte” një konflikt të trilluar në mes të viteve 1980, si pjesë e stërvitjeve.

“Në fakt, ne duhet të dilnim me informacione në lidhje me sulmet, vdekjet, dëmtimet në front dhe të përgatisim programe speciale”, tha ai.

Nga bunkerët te kafenetë e mrekullueshme

Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, bunkerët e Shqipërisë u braktisën, ndërkohë që disa nga zonat më të mëdha ranë viktima të plaçkitësve.

Në vitet e fundit, disa prej bunkerëve janë shndërruar në kafene, depo ose shtëpi strehimi për të pastrehët.

Vendroja në Gjirokastër është tani një nga atraksionet kryesore turistike të qytetit të gurtë.

Turizmi është rritur në mënyrë të vazhdueshme që kur Shqipëria, kaq kohë e shkëputur nga bota, u hap për vizitorët e tërhequr nga plazhet, malet, kuzhina dhe historia e saj unike.

Por, këtë vit, mbërritjet turistike kanë rënë në mënyrë dramatike për shkak të pandemisë, një humbje që llogaritet në një miliard euro.

Ministria e Turizmit raportoi një rënie me 64 % për janar-korrik, me 1 690 000 vizitorë të huaj më pak krahasuar me vitin 2019.

Në qytetin e Gjirokstrës, këtë vit, erdhën vetëm 22 000 turistë deri në fund të gushtit, krahasuar me 120 000 vitin e kaluar.

“Grupet e vogla të turistëve, që enden nëpër rrugica japin një dritë shprese”, këmbëngul Maksim Hoxha, presidenti i Dhomës Tregtare të qytetit.

“Gjirokastra (edhe vendlindja e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare) ka gjithmonë diçka për të ofruar”, e mbyll ai./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.