Vetingu në Polici/ Procesi vijon, në tetor hidhet shorti i tretë

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Nënkomisioni parlamentar për ndjekjen e procesit të vetingut në radhët e policisë, gardës dhe ShÇBA, zhvilloi takimin informues të radhës me kryetaren e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj, në mjediset ku ky komision ushtron veprimtarinë.

Felaj tha se “procesi është ngritur dhe vijon”. “Në muajin tetor hidhet shorti i tretë, pas 92 punonjësve të Policisë të shortuar më herët e nën veting”, tha ajo.

Felaj theksoi se “ndërhyrjet në ligj kanë synuar jo vetëm mbështetjen e procesit të vetingut, por dhe vijimin e përfundimin në kohë të arsyeshme të tij”.

Sidoqoftë, ajo theksoi se “ngelet imperative rritja e presionit pozitiv ndaj komisionerëve dhe jo vetëm, që procesi të ecë me të njëjtin hap nga çdo trupë dhe me përgjegjësinë e mosshpërdorimit të kohës”.

“Ne e kemi të nevojshme të sigurohemi për pastërtinë e figurës së atyre që për mision kanë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë. Publiku po ashtu ka interes, ndërkohë që më të rinjtë, ata që kërkojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, duhet ta kenë të qartë që në nisje, se integriteti dhe profesionalizmi, do jenë baza e padiskutueshme e të qenit në këtë organizatë, ku jo pak vetë kanë sakrifikuar edhe me jetën e tyre”, tha Felaj.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.