Tregu i pasurive të paluajtshme/ Kreditimi u rrit në vlerën 2.37 miliardë lekë në fund të shtatorit

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Kredia e disbursuar për blerjen e banesave nga individët, u rrit në vlerën 2.37 miliardë lekë në fund të muajit korrik, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, nga janari i këtij viti sistemi bankar ka dhënë 100 milionë euro kredi të reja për blerjen e shtëpive apo banesave.

Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, rezulton se, kredia për shtëpi u ul me  14%, ndikuar nga situata që krijoi COVID-19 që uli kërkesën dhe ofertën për kredi bankare.

Por, pas muajit maj kredia për shtëpi është gjallëruar dhe paraqet një tendencë të dukshme në rritje.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kreditimi i individëve kryeson trendin në rritje të huadhënies, ku dominon kredi për shtëpi.

Sipas ekspertëve në mbështetje të këtij tregu është rritja e kredimit për shkak të interesave të ulëta dhe fikse. Sipas Bankës së Shqipërisë, për korrikun interesi mesatar i kredisë për shtëpi në lekë ishte 3.71%, ndërsa në euro 3.16%.

Në fund të korrikut, portofoli i kredisë për shtëpi të individëve arriti vlerën e 121.9 miliardë lekëve. e.xh//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.