“Thirreshin për miting e shfrytëzoheshin për votë, por kurrë nuk u trajtuan me dinjitet”/ Investimet në Kamzë po ndryshojnë realitetin e banorëve

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali inspektoi sot disa prej investimeve që po kryhen në Bathore, ku realiteti po ndryshon me rrënjë.

“Për më shumë se 25 vjet në rrugën e pagëzuar “Bashkim Gazidede”, kanë lindur dhe janë rritur fëmijë të familjeve të ardhura prej gjithkah për një jetë më të mirë. Në këtë kanal 3.9 km ujërash të zeza mbi dhé, të quajtur rrugë, fëmijët e lagjes janë rritur mes pisllëkut, erës së rëndë dhe sëmundjeve”, tha ajo.

Spiropali tha se “bashkia nuk iu erdhi në ndihmë, por ata duheshin për statistikë”. “Thirreshin për miting e shfrytëzoheshin për votë, por kurrë nuk u trajtuan me dinjitetin që meritojnë”, tha ajo.

Ndërkohë ministrja theksoi se sot, ky realitet po ndryshon me rrënjë.

“Investimi madhor i bashkisë Kamzë me fond prej 400 milionë lekësh, nga ku janë kryer mbi 23% e punimeve, 9.1 km kolektor i ri dhe 11.963 lidhje shtëpie në rrjet kanalizimesh, i jep fund kalvarit të mundimit mesjetar për 53.372 banorë të Kamzës”, tha ajo.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.