SHBA – Katër sportistë nga 26 të infektuar me COVID-19 kanë pësuar dëm në zemër

OHAIO, 16 shtator /ATSH-AA/ – Sipas një studimi në SHBA, tek 15% e 26 sportistëve të shkollave të mesme, pasi janë shëruar nga koronavirusi i ri (COVID-19), u është zbuluar inflamacion i muskulit të zemrës (miokardit).

Gjetjet e studimit të kryer nga Universiteti Federal të Ohios janë publikuar në revistën “JAMA Cardiology”.

Në kuadër të hulumtimit janë ekzaminuar 26 sportistë të shkollave të mesme që më parë nuk kanë pasur asnjë problem shëndetësor.

Prej tyre, 12 që janë infektuar me COVID-19 kanë pasur simptoma të lehta, ndërsa të tjerët kanë qenë asimptomatikë. Sportistët janë shëruar pa u shtruar në spital dhe me ndonjë trajtim të ilaçeve specifike.

Pas skanimeve, te 15% ose 4 prej tyre janë vërejtur simptoma të miokarditit.

Theksohet se katër sportistët kanë qenë meshkuj, prej të cilët dy e kanë kaluar lehtë virusin dhe 2 kanë qenë asimptomatikë.

Miokarditi mendohet të jetë përgjegjës për 7 deri në 20 % të vdekjeve kardiake të papritura te sportistët.

Në përputhje me gjetjet, ekspertët këshilluan atletët të kenë kujdes për fillimin e trajnimeve menjëherë pasi të kalojnë COVID-19. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.