Rindërtimi/ Shpallet zona e re për zhvillim rreth 21 mijë m2 në Manëz të Durrësit

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shpalljen e zonës së re për zhvillim në njësinë administrative Manzë, bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese.

Sipas këtij vendimi u shpall zonë e re për zhvillim të territorit, një sipërfaqe prej 20 847  m2, e cila konsiderohet si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar në njësinë administrative Manëz, Bashkia Durrës.

Po ashtu në vendimin e qeverisë u caktua Fondi Shqiptar i Zhvillimit si njësi zbatuese për ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara; ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike, realizimin e ndërtimeve në këtë zonë; si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.

Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.