Rindërtimi/ Miratohen 1.4 miliard lekë për rikonstruksionet e banesave në Krujë, Shijak, Durrës dhe Tiranë

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot përdorimin e fondit të rindërtimit miratuar në buxhetin e vitit 2020, në masën 1 442 493 401 lekë, për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të banesave individuale, të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) si dhe mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Krujë, Shijak, Durrës dhe Tiranë.

Efekti financiar i këtij vendimi do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020.

Konkretisht, bashkisë Krujë i transferohet fondi prej 86 milionë lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

Ndërsa bashkisë Shijak i transferohet fondi prej 63 588 401 lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat).

Bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 763 250 000 lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

Bashkisë Tiranë i transferohet fondi prej 529 655 000 lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Krujë, Shijak, Durrës dhe Tiranë. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.