Një universitet amerikan zbulon antitrupa efikasë kundër virusit COVID-19

PENSILVANIA, 16 shtator /ATSH-AA/- Shkencëtarët në shtetin e Pensilvanisë të SHBA-së kanë arritur të izolojnë molekulën më të vogël biologjike deri më tani që neutralizon virusin SARS-CoV-2, i cili shkakton COVID-19.

Molekula, e cila thuhet se plotësisht dhe specifikisht neutralizon virusin, është 10 herë më e vogël se një antitrup i madhësisë së plotë, thanë shkencëtarët të hënën në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Pitsburgut. Ajo përdoret për bërjen e ilaçit të njohur si “Ab8” për përdorim të mundshëm kundër koronavirusit.

Ab8 është shumë efektiv në parandalimin dhe trajtimin e infeksionit SARS-CoV-2 tek minjtë dhe brejtësit, thanë ata, duke shtuar se “nuk lidhet me qelizat njerëzore, që është një shenjë e mirë se nuk do të ketë efekte anësore negative tek njerëzit”.

“Ab8 jo vetëm që ka potencial si terapi për COVID-19, por gjithashtu mund të përdoret për të mbrojtur njerëzit që të mos preken nga infeksione të SARS-CoV-2”, tha në një deklaratë John Mellors, shefi i Divizionit të Sëmundjeve Infektive dhe Qendrës Mjeksore në Universitetin e Pitsburgut.

Ndërsa shkencëtarët dhe kompanitë amerikane po garojnë për të dalë me një vaksinë kundër COVID-19, vendet e tjera gjithashtu janë duke bërë përparim.

Rusia miratoi një vaksinë në gusht pavarësisht se ekspertët perëndimorë shprehën shqetësime në lidhje me mungesën e testimit adekuat, kurse kompania kineze Sinovac Biotech njoftoi më 6 shtator se 90 për qind e punonjësve të saj dhe familjeve të tyre kanë marrë një vaksinë eksperimentale.

Kina të martën deklaroi se vaksina mund të jetë në dispozicion për publikun që nga nëntori, sipas Wu Guizhen, kreut të biosigurisë në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i cili vetë mori një vaksinë eksperimentale në prill./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.